Biznesmeni i basteve që kërkohet në Itali dënohet me 1 vit burg

Kronikë e zezë

Biznesmeni i basteve që kërkohet në Itali dënohet me 1 vit burg

Më: 20 prill 2014 Në ora: 09:26

Gramos Murataj, biznesmeni i një kompanie bastesh sportive që kërkohej nga drejtësia italiane për trafik droge, është dënuar dy ditë më parë me 1 vit burg për akuzën e “Largimit të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ikja nga vendi që i kishte caktuar me vendim Gjykata e Apelit Vlorë, ka sjellë dështimin e ekstradimit të Murataj në Itali, ku rezulton i dënuar me 20 vjet heqje lirie për trafik heroine.

Për shkak se biznesmeni i basteve nuk u gjet në banesën e tij, nga Oficerët e Policisë Gjyqësore, është ngritur akuza e “Largimit të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, për të cilën dy ditë më parë Gramos Murataj u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit burg. Mirëpo pas dhënies së vendimit gjyqtari i çështjes ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e vendimit të dënimit me burg për pjesën e pavuajtur të tij për një afat kohor prej 18 muaj.

gramos murataj vendimiMë tej gjykata urdhëron të pandehurin Murataj të paraqitet një herë në dy muaj në shërbimin e provës dhe të marrë pëlqimin nga shërbimi i provës për ndryshimin e vendbanimit apo për lëvizjet e shpeshta brenda vendit. Në vendimin e shkurtimit gjyqtari nuk përmend emrin e Gramos Murataj, duke vendosur mbi të vetëm shkronjat X…Y-ni.

Rrëzimi i ekstradimit
Ekstradimi i biznesmenit shqiptar të dënuar me 20 vite burg për trafik droge në Itali, tashmë cilësohet i dështuar totalisht. Kjo pasi në datën 29 janar të këtij viti Gjykata e Lartë, ka vendosur të refuzojë kërkesën e autoriteteve italiane, për ekstradimin e Gramos Murataj në Itali, me qëllim vuajtjen e dënimit në burgjet e këtij shteti. Togat e zeza kanë përdorur në këtë rast, argumentin e mungesës së garancisë së palës italiane, lidhur me sigurimin e jetës së biznesmenit Gramos Murataj në burgjet e këtij shteti, si dhe mos qartësimin, se cilin vendim do të vuante në Itali, pas ekstradimit.

Kjo pasi dënimi me 20 vjet burg është bashkim dënimesh për disa vepra penale. Nisur nga kjo situatë, Gjykata e Lartë ka përdorur dhe disa argumente të tjera, duke vendosur të prishë dy vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe Gjykatës së Apelit që vendosnin pro ekstradimit, duke urdhëruar “zhveshjen” totale nga përgjegjësia e dënimit të biznesmenit të basteve sportive Gramos Murataj.

Rifitoi lirinë
Teksa disa muaj më parë Ministria e Brendshme deklaronte se ky person ishte në kërkim, tashmë me vendimin e Gjykatës së Vlorës, biznesmeni i një kompanie bastes sportive, ka rifituar plotësisht lirinë dhe shmangur përfundimisht ekstradimin e tij në Itali.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat