Policia: Njeriu është shkaktar kryesor i aksidenteve me fatalitet

Kronikë e zezë

Policia: Njeriu është shkaktar kryesor i aksidenteve me fatalitet

Më: 19 prill 2014 Në ora: 10:29

Në vazhdën e intensifikimit të punës për forcimin e Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, dhe edukimin e pjesëmarrësve në komunikacion, Policia e Kosovës ka planifikuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës - vetëm në tremujorin e parë të këtij viti kanë humbur jetën 27 persona. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se shkaktar kryesor i aksidenteve me fatalitet, është faktori njeri.

Edhe përkundër faktit se numri i aksidenteve për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rënie për 13.8 për qind, mbetet shqetësues numri i aksidenteve me fatalitet, pasi që kanë humbur jetën 27 persona, kryesisht këmbësorë, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Ai shtoi se Policia e Kosovës ka bërë një analizë të mirëfilltë ku janë nxjerrë të gjithë faktorët dhe shkaktarët e aksidenteve me pasoja fatale.
Sipas kësaj analize del se aksidentet më së shumti kanë ndodhur në intervalin kohor prej orës 10 deri në orën 18, kur frekuentimi i automjeteve në trafik është më i madh. Ndërkaq, faktori kryesor i aksidenteve është mosrespektimi i shpejtësisë dhe i shenjave të komunikacionit, ndërsa mosha e ngasësve që shkaktojnë aksidente - është prej 30 deri në 50 vjeç.
Pasi që numri më i madh i të aksidentuarve që kanë përfunduar me fatalitet janë kryesisht këmbësorët, Policia e Kosovës ka filluar edhe një fushatë paralajmëruese.
Fushata paralajmëruese do të zgjas deri më 1 maj, ndërsa pas kësaj date njësitet e Policisë Kosovës do të fillojnë me gjobitjen e këmbësorëve, sikurse edhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.
Fushata paralajmëruese parasheh ligjërata në shkolla, nëpër mediat lokale, si dhe të gjitha mënyrat tjera të komunikimit me qytetarë për vetëdijesimin e tyre që të respektohen rregullat në komunikacionin rrugor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat