Durrës, atentat në makinë me 50 gramë tritol shefit të hoteleve

Kronikë e zezë

Durrës, atentat në makinë me 50 gramë tritol shefit të hoteleve

Më: 18 prill 2014 Në ora: 09:06

Me më pak se 50 gr tritol të telekomanduar ishte menduar t’i jepej një mesazh kryetarit të Shoqatës Shqiptare të Hotelerisë së Durrësit e njëkohësisht pronarit të hotel “Aragosta”, kur i shpërthyen makinën mëngjesin e djeshëm. Paraprakisht dyshohet konkurernca si shkak kryesor. Kur nuk kishte shkuar ora 08:00, sapo zbriti nga makina tip “Wolkswagen”, me targa DR 2137 R, 43-vjeçari Eduart Xhepa e dëgjoi vetë shpërthimin jo të fuqishëm, shkaktuar nga C4.

Ekspertët e njësisë Antieksploziv që shkuan në vendngjarje, përcaktuan paraprakisht se nuk ishte vënë më tepër se 50 gramë tritol në motorin e makinës, për nga ana e pasagjerit, teksa mekanizmi me telekomandë me anë të thirrjes telefonike i lejonte autorët që ta shpërthenin në çdo moment. Ata kanë zgjedhur çastin kur Xhepa kishte zbritur nga makina dhe po hynte në hotel.

Nisur nga të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje, specialistët mendojnë se urdhëruesit kanë dashur t’i dërgojnë një mesazh pronarit të njërit prej hoteleve më të njohur të zonës, ku motivi i konkurrencës mbetet më i pranueshmi.

Për shkak se sezoni turisik është në ardhje, dyshohet se Xhepa mund të jetë kërcënuar nga pronarë të tjerë hotelesh që ta përhapte influencën edhe te bizneset e tyre.

Megjithatë policia po heton edhe në pistat e tjera si atë të funksionit të Xhepës në shoqatën e hoteleve, borxheve, të kaluarës apo ndonjë konflikt personal. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia durrsake kishte shoqëruar të paktën 10 persona, mes tyre pronarë të hoteleve rivale me Aragostën. Ekspertët punuan për të mbledhur prova dhe dëshmi, teksa po verifikohen pamjet filmike të bizneseve përreth apo intinerari i vendparkimit të makinës, natën para shpërthimit.

Familjarët e tij dhanë dëshmi pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit, ndërsa po verifikohen komunikimet e fundit të Xhepës me pronarë të tjerë hotelesh, për të mësuar diçka më tepër rreth përplasjeve të mundshme. Dy vite më parë në Gjykatën e Lartë u trajtua një padi e Xhepës ndaj Ministrisë së Ekonomisë për një truall 960 m2, për ndërtimin e një kompleksi turistik.

Deri para pak kohe Xhepa ishte kryetari i Shoqatës Shqipare të Turizmit për Durrësin, ndërsa tashmë mbante postin e shefit për Hotelerinë. Në debatet mes biznesmenëve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal, Xhepa ka theksuar përherë rëndësinë e cilësisë në shërbim, në fuksion të garantimit të kushteve optimale për turizmin. - See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/durr-s-atentat-n--makin--me-50-gram--tritol-shefit-t--hoteleve-210345.html#sthash.MAQM6o60.dpuf

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat