Gjyqtari Pojanaku mohon akuzat në polici: Janë para qiraje, jo ryshfet

Kronikë e zezë

Gjyqtari Pojanaku mohon akuzat në polici: Janë para qiraje, jo ryshfet

Më: 18 prill 2014 Në ora: 07:53

"Nuk kam marrë ryshfet. Për 20 vite të ushtrimit të detyrës si gjykatës kam zbatuar me përpikmëri ligjin. Paratë e pretenduara nga organi i akuzës, janë paratë e qirasë së një godine në pronësi timen dhe nuk kanë lidhje me ryshfetin. Jam i pafajshëm”. Dhimitër Pojanaku, gjykatësi i Pogradecit i vënë nën pranga, si i dyshuar për korrupsion, ka mohuar kategorikisht akuzat, teksa është marrë në pyetje nga hetuesit.

Sipas tij, akuzat nuk janë gjë tjetër, veçse një sajesë dhe e vërteta është krejt ndryshe. Gjykatësi dhe njëherazi, poeti i njohur mësohet ti ketë thënë hetuesit se është tërësisht i shokuar nga arrestimi dhe se padiskutim do ta vërtetojë pafajësinë e tij para organeve të drejtësisë. Por, ndërsa Pojanaku ka dhënë shpjegimet e tij rreth akuzës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar pa kaluar as 24 orë nga arrestimi i njeriut të drejtësisë, ka vendosur të lejojë prokurorinë të vijojë hetimet për gjykatësin e Pogradecit.

Unanimisht, gjatë mbledhjes, Këshilli ka vendosur gjithashtu, pezullimin nga detyra e gjykatësit Dhimitër Pojanaku, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë. Gjykatësi Pojanaku, veprimtaria e të cilit me vendimin të KLD-së, do të inspektohet për një periudhë 1-vjeçare, u vu në pranga, pasi dyshohet se kishte marrë si ryshfet një shumë prej 40 mijë lekësh, për shqyrtimin e një çështjes civile.
DËSHMIA E POJANAKUT
Gjykatësi i vënë në pranga për korrupsion me urdhër të Prokurorisë së Korçës, ka dhënë shpjegime para hetuesve, duke kundërshtuar ashpër akuzën. “Jam shokuar nga arrestimi im. Nuk kam lidhje me ryshfetin. Kam më shumë se 20 vite si gjyqtar i Rrethit Gjyqësor të Pogradecit, kam shqyrtuar qindra procese gjyqësore penale dhe civile, por në asnjë moment nuk kam shkelur ligjin dhe po ashtu në asnjë moment nuk kam marrë para nga palët e përfshira në proces. Jam krejtësisht i pafajshëm në këtë histori e cila duket një sajesë”, ka deklaruar Pojanaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat