Misteri i një gruaje në Kavajë, u zhduk në prag të dëmshpërblimit

Kronikë e zezë

Misteri i një gruaje në Kavajë, u zhduk në prag të dëmshpërblimit

Më: 18 prill 2014 Në ora: 01:12

Një grua në moshë të thyer rezulton e zhdukur prej disa ditësh në Kavajë. Zhdukja është e veshur me mister sepse nuk dihen rrethanat për shkak se ajo jetonte vetëm në banesën e saj.

Tefta Kallaku, 75 vjeçe jeton në qytetin e Kavajës. Më 4 prill, ajo foli për herë të fundit me vajzën në Itali.

Që nga ajo ditë, vajza nuk ka arritur të kontaktojë më me të ëmën.

E shqetësuar, e bija ka kërkuar ndihmë nga fqinjët. Më 6 prill, një nga fqinjët ka shkuar te shtëpia e 75 vjeçares. Porta e shtëpisë ishte e hapur, por Tefta Kallaku nuk gjendej brenda.

Fqinja informoi vajzën e Teftës. E shqetësuar, e bija e të zhdukurës mbërriti në Shqipëri dhe kërkoi menjëherë ndihmën e Policisë së Kavajës.

Sot, bëhen të paktën 12 ditë që kur Tefta Kallaku u zhduk krejt papritur nga shtëpia.

Gruaja e zhdukur i përket një familjeje të persekutuar nga regjimi komunist. Ajo rezulton në listën e personave që ende nuk janë dëmshpërblyer nga shteti dhe këto ditë mendohet se do të bëhet edhe procesi i kompensimit financiar.

Policia e Kavajës thotë se ka pista hetimi për të zbardhur rrethanat e zhdukjes dhe shkaqet, por nuk do t’i bëjë publike deri në sqarimin e tyre.

Grupi hetimor është duke kërkuar informacion dhe mbledhur dëshmi nga të afërm, fqinjë dhe persona të tjerë për të zbardhur pse u zhduk Tefta Kallaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat