Gjonbalajt një muaj arrest shtëpiak

Kronikë e zezë

Gjonbalajt një muaj arrest shtëpiak

Më: 17 prill 2014 Në ora: 09:06

Enkelejda Gjonbalaj, për tridhjetë ditë nuk do të mund të dalë nga shtëpia e saj. Të mërkurën një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë i caktoi asaj këtë masë të arrestit pasi i kishte skaduar 48-orëshi i paraburgimit, i vendosur të hënën nga prokurorja Merrushe Llugiqi. Kjo e fundit nuk ishte në disponim të japë deklaratë për "Tribunën", ndërsa gazeta nuk arriti të mësojë kush e mbron tani të dyshuarën Gjonbalaj.
Caktimin e masës së arrestit e konfirmoi për gazetën kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimi. “Sot (e mërkurë) është mbajtur seanca për caktim të masës së paraburgimit dhe ndaj të dyshuarës gjykata ka vendosur 30 ditë arrest shtëpiak”, tha Ibrahimi. Sipas tij, kjo masë është marrë duke u bazuar në atë se Gjonbalaj është grua e martuar dhe jeton në Prishtinë.
Mësohet se edhe prokuroja ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarën. Enkelejda Gjonbalaj, drejtoreshë e barnatores qendrore në QKU dhe ish-shefe e farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë, është arrestuar të hënën në mëngjes nga Policia në vendin e saj të punës në QKU. Mbi të rëndojnë dyshime të rënda për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nga koha kur ka qenë ud. drejtoreshë e sektorit të farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat