Miku i qelisë: Kudreti do të lirohej në një ditë me mua, por e mbajtën për një telefon

Kronikë e zezë

Miku i qelisë: Kudreti do të lirohej në një ditë me mua, por e mbajtën për një telefon

Më: 15 prill 2014 Në ora: 07:52

Kanë jetuar bashkë për dy vite, kanë ndarë bukën, kafenë, brengën dhe hallin e madh të të qenurit pas hekurave. Kanë dalë në gjyq po bashkë dhe kanë marrë ‘vizën’ e daljes prej atij ‘ferri’ po bashkë. Mjerisht Kudreti nuk ia doli dot, ndërsa shoku i tij i ngushtë, Kastriot Kolndreu, vetëm pak ditë para se Kudreti të kryente atë akt barbar mbi gardianin që i ka urryer gjithnjë të burgosurit, ka lënë qelitë e burgut, e njëkohësisht edhe Greqinë për të mbërritur tek familja e tij, te fëmijët e tij të cilët si kishte parë prej vitesh. Ai, tashmë, gjendet në Sarandë dhe çdo çast të përditshmërisë së tij e lidh me Kudretin, me kujtimet që i mbetën nga njeriu që sipas tij, ishte përjashtim në ato ambiente: “Kudreti ishte djalë i rrallë, madje ndër njerëzit më dinjitozë që kam njohur në jetën time. Për dy vite, kemi ndarë çdo çast të jetës sonë, jo brenda, por edhe të asaj që lamë jashtë dhe na priste jashtë. Ai duhej të dilte bashkë me mua, por vetëm se iu kap një telefon, ia shtynë lirimin. Kudreti s`dinte t`i fliste keq kujt, jo më t`i merrte jetën kujt”. Kështu tregon Kastriot Kolndreu, në një lidhje telefonike me ‘Shekulli’, ndërsa shpjegon se gardiani i vrarë, Giorgios Tsironis ishte njeriu më brutal i gjithë atij burgu. Kolndreu jep detaje mbi përballjet me këtë gardian, jo vetëm të tijat personale, por edhe të të gjithë të burgosurve që përballeshin në sektorin ku shërbente greku, ndërsa tregon se Kudreti u mbajt pa të drejtë në burg, ashtu siç ishte mbajtur edhe vetë Kolndreu për dy muaj rresht. Sipas tij që të dy prisnin të liroheshin njëkohësisht, dhe tropojani i lindur në Shkodër dhe banues në Sarandë, tregon se të vetmen brengë që kishte në jetën e tij, ishte e ëma.

Rrëfimi i mikut të Kudret Kumes

Kastriot, sa vite keni që njiheni me Kudretin dhe ku jeni njohur?

Jemi njohur në Malandrino. Për dy vite me radhë kemi ndarë gjithçka bashkë. Kemi patur edhe një djalë tjetër nga Saranda që qëndronim gjithë kohës bashkë. Madje edhe gjyqin e fundit e patën thuajse në një kohë dhe prisnim të liroheshim në të njëjtën ditë bashkë. Mjerisht Kudreti nuk ia doli dot. E mbajtën padrejtësisht ashtu siç kishte kryer vite të tëra po padrejtësisht.

Si e njihni Kudretin dhe për aq sa e njihni ju, mund ta kryente një akt të tillë miku juaj?

Ju siguroj vetëm kaq: mbase ishte njeriu i fundit në ato ambiente që mund të kryente një akt të tillë në kushte normale. Jo vetëm se si e njoh unë, por le të pyeten të gjithë të burgosurit që e kanë njohur, gardianë e deri të drejtues të burgjeve ku ka qëndruar ai njeri, nëse del dikush që thotë një fjalë për të, atëherë ai e meritonte një akt të tillë. Kudretin, për dy vite që jetova me të kurrë se dëgjova të shante, të fyente, të bënte një veprim që s`i kishte hije një burri. Ishte dhe mbetet një ndër njerëzit më dinjitozë që kam njohur në jetën time.

Më thatë se priste të lirohej edhe Kudreti. E dini shkakun pse nuk e liruan në kohën që ishte përcaktuar?

Po. Kemi bërë gjyqin në të njëjtën kohë dhe kishim për t`u liruar. Kudretit ia shtynë vetëm se i kishin gjetur një celular në qeli. Ata shpikin çfarë do që duan, kur duan të të mbajnë brenda. Edhe mua më mbajtën dy muaj kot, paçka se kisha për të dalë prej burgu. Është një praktikë që gjithnjë e ndjek drejtësia greke me ne shqiptarët. Ta shtyjnë afatin e lirimit dhe përgjatë kësaj periudhe të provokojnë. Ai gardiani që i mbeti në duar Kudretit, vetëm atë punë bënte. Jam i sigurt se edhe atë ditë që është përballur me Kudretin, ka qenë duke kryer të njëjtin mision.

Me ‘mision’ do të thuash se Kudreti është provokuar nga gardiani?

Po, jam i bindur me jetën time. Kurrë s`do të kishte ndodhur nga ai njeri diçka e tillë, nëse nuk do ishte provokuar. Di që Kudreti atë ditë ka shkuar dhe ka pyetur për ditën se kur do të lirohej. Të paktën me çfarë më kanë treguar pak shokët e mi që gjenden ende në burg. Nuk di se çfarë përgjigjeje i kanë dhënë, por di që ka fakte që është ndeshur me të në korridore. Të pyeten njerëzit se ka patur dëshmitar përplasja mes tyre në korridor. Pastaj gardiani i ka shkuar në qeli i vetëm, një akt ky që s`mund të ndodh me ligj dhe as pa ligj. Duhet të hetohet mirë ajo ngjarje, edhe pse tashmë s`ka më vlerë për jetën e mikut tim. Por jam i bindur, se ai gardian kujtdo nga ne e ka merituar për t`i mbetur në dorë, por fatkeqësisht mbeti në duart e Kudretit.

Ti ke patur ndonjëherë përballje me këtë gardian, Kastriot?

Po, disa herë madje. Tek shtrati im mbaja dy korniza me fotot e dy fëmijëve të mi. Disa herë vinte kontroll dhe nga inati që nuk na gjente ndonjë gjë të jashtëligjshme në dhomë më thyente kornizat. Hynte edhe nëpër dhomat e të tjerëve dhe nëse i gjente ndonjërit rroba firmato, ua merrte dhe ua hidhte në banjo. Ka bërë çfarë s`ka bërë, po ne ishim të pafuqishëm të merreshim me të, se donim të iknim prej burgu dhe mos të na shtoheshin vite, pasi ata nuk përtonin të vinin dënime të tjera me dhe pa prova.

Kudreti, dini gjë, ka patur avokat?

Ka patur dikur por në kohën që jemi njohur bashkë kemi bërë kërkesë në gjykatë për mbrojtje nga shteti pasi nuk kishim para te paguanim. Dhe në seancat e fundit na kanë mbrojtur avokatë që na ka caktuar shteti.

Po, për se thuhet se Kudreti i ka dhënë 60 mijë euro pikërisht këtij gardiani që më pas edhe vrau?

Jo, jo, jo. Kurrë nuk ka ndodhur ajo gjë, jo vetëm se Kudreti nuk kishte para, por edhe sikur të kishte e para një gardian s`ka fuqi të vendos në asnjë instancë dhe aq më pak ai gardian që ne na urrente për vdekje. Asnjëherë. Kjo është një gënjeshtër e madhe që nuk e di se kush e ka nxjerrë, por mbase kanë dashur të kryejnë një implikim të dyfishtë të Kudretit dhe të gardianit për të shpëtuar të tjerët.

Pse mendoni që u hakmorën deri në vdekje me Kudretin?

Nuk mund të jap një përgjigje të saktë pasi ka shumë pikëpyetje në ato dy ngjarje. Për mua, përveç hakmarrjes kundër një shqiptari, unë dyshoj se kanë patur frikë nëse do të dëshmonte në lidhje me të vërtetën, ndonëse ranë nga skandali në skandal. Prapë e them dhe do ta them: ai njeri mund të ishte i fundit ndër ne që e meritonte.

Gjykata liron 4 gardianët e Nigritës, “zhduket” drejtori

Katër gardianë të burgut të Nigritës, nga gjithsej 15 të akuzuar që kishin ditën e deponimeve në hetuesi për çështjen e vrasjes nga torturat të të burgosurit shqiptar Kudret Kume, pasi kanë dëshmuar në gjykatën e qytetit Serres, janë lënë të lirë me kusht. Ky fakt vjen pas vendimit të përbashkët që kanë marrë hetuesja dhe prokurori i çështjes. Në këto kushte përfshihet ndalimi i largimit të tyre jashtë Greqisë dhe paraqitja njëherë në muaj në rajonin përkatës të policisë. Të martën dëshmojnë dy të akuzuarit e fundit, ndërsa pritet edhe dëshmia e njërit prej rojeve që ka deklaruar se në momentin që shqiptari është sjellë në burg ai ka lënë turnin. Deri tani nuk ka një thirrje në hetuesi për drejtorin e këtij institucioni i cili shfaqet në të dy videot. Mirëpo sipas të dhënave që vijnë nga burgu i Nigritas mësohet se drejtori është zëvendësuar para disa ditësh dhe se është marrë në mbrojtje, nga frika e ndonjë hakmarrjeje ndaj tij. Emri i drejtuesit të burgut, i cili del qartë në të gjitha pamjet, është listuar nga organizata që mori përsipër sulmin me autobombë mëngjesin e 8 prillit në Athinë. Kështu, deri më tani vetëm gjashtë gardianë janë burgosur për këtë çështje, që ka shkaktuar reagime të mëdha dhe gjashtë të tjerë janë lënë të lirë me kusht deri në zhvillimin e gjyqit, ndërkohë që mesazhi i dërguar nga organizata “Zero” ka ngritur në këmbë gjithë sigurinë e Greqisë. Kjo organizatë njoftoi hakmarrje ndaj të gjithë të implikuarve në vrasjen e të burgosurit në burgun e Nigritas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat