Driton Meka: Bashkëshortja u vetëhelmua pasi e transferuan

Kronikë e zezë

Driton Meka: Bashkëshortja u vetëhelmua pasi e transferuan

Më: 14 prill 2014 Në ora: 08:04

"Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Korçë na internoi sërish. Ajo e transferoi gruan time në komunën Mollas të Ersekës. Kur mori urdhrin e transferimit, zonja ime pësoi infarkt dhe nuk mundi ta kalonte dot këtë shqetësim, ndaj u vetëhelmua". Kështu ka deklaruar Driton Meka, bashkëshorti i 52-vjeçares Brunilda Meka, e cila i dha fund jetës të shtunën duke u vetëhelmuar me mbidozë ilaçesh. Po krejt ndryshe deklaron drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore në Korçë, Ana Verushi, e cila ka pohuar se 52-vjeçarja Brunilda Meka me profesion ekonomiste, deri në momentet e fundit të jetës ka qenë në marrëdhënie pune në këtë drejtori.
"Së pari, i shpreh ngushëllimet e mia familjes së Brunildës. Konfirmoj se Brunilda Meka deri në momentet e fundit që ajo ka ndërruar jetë, ka qenë punonjëse pranë Drejtorisë Rajonale të sigurimeve Shoqërore në Korçë. Kjo vërtetohet edhe me anë të një raporti mjekësor që Brunilda ka paraqitur në këtë drejtori, ku thuhet se prej datës 5 deri në datën 19 prill për arsye shëndetësore, ka nevojë për pushim", tha Verushi.

Por në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Driton Meka e bën Verushin përgjegjësen kryesore për vdekjen e bashkëshortes së tij. Ai tregon edhe për një letër lamtumire që 52-vjeçarja kishte lënë, ku përveç amaneteve shkruhej "Më morën në qafë, por unë ia lë Zotit".
Gruaja qe vrau veten pushohet nga puna
Z.Driton, çfarë mund të thoni rreth asaj që ka ndodhur me bashkëshorten tuaj?
Gruaja ime punonte prej 20 vitesh si ekonomiste në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Korçë. Por para gati 10 ditësh ka marrë një urdhër transferimi nga drejtoresha, e cila e transferonte në komunën Mollas të Ersekës, aty bashkëshortja ime duhet të punonte si inspektore bujku. E kam në shtëpi edhe sot këtë urdhër. Ajo nuk mund të shkonte dot nga Korça në Ersekë. Unë mendoj që duke ditur prejardhjen tonë, ajo na internoi përsëri, por ky ishte internimi më i rëndë.
Si e priti bashkëshortja juaj këtë urdhër transferimi?
Sapo mori urdhrin e transferimit, zonja u trondit dhe pësoi infarkt. Ajo vetëm për atë transferim fliste, e përjetoi shumë. Kur pësoi infarkt, shkoi dhe tek mjeku, i dhanë një raport për gjendjen e saj shëndetësore. Ajo nuk ishte mirë dhe nuk duhet të lëvizte, madje unë i qëndroja tek koka, por nuk e kaloi dot. Pavarësisht mbështetjes sime, në një moment kur unë nuk isha në shtëpi, bëri atë që nuk duhej ta kishte bërë.
Pse ndodhi ky transferim sipas jush?
Unë nuk merrem me parti politike dhe nuk dua të jap ngjyrime të tilla. Ana Verushe është pjesë e Partisë Socialiste, por nuk mund të përfaqësojë një parti të tërë. Dhe këtu ka një përgjegjës. Drejtoresha është përgjegjësja kryesore për vdekjen e bashkëshortes sime. Ajo dhe një përgjegjës në këtë drejtori kanë ndikuar në vdekjen e gruas sime dhe unë jam 100% i bindur për këtë.
Mësuam se bashkëshortja juaj ka lënë një letër lamtumire. Është e vërtetë?
Po, është e vërtetë. Gruaja ka lënë një letër lamtumire. Aktualisht ajo letër është në dorën e policisë. Por ne nuk jemi hakmarrës, nga ajo klasë që vijmë ne, nuk mendojmë për hakmarrje.
Ju e keni lexuar atë letër?
Po, e kam lexuar para se t'ia jepja policisë. Në letër nuk bën njeri fajtor, thotë që ia lë Zotit. Ajo çka shkruan veç disa amaneteve është "Më morën në qafë, por unë ia lë Zotit", kjo është ajo që më ka ngelur në mendje. Bashkëshortja ime ishte një grua, një kolege, një mike e rrallë.
Keni diçka tjetër për të shtuar?
Unë do i drejtohem drejtësisë. Mendoj që drejtësia duhet të veprojë me ndërgjegje. Në këtë rast bëhet fjalë për gra e vajza që punojnë nëpër zyra dhe u bëhen presione të tilla. Unë do i shkoj deri në fund kësaj historie, do e kërkoj të vërtetën nëpërmjet drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat