Pranga komandantit të njesisë speciale, vodhi para gjatë një aksioni

Kronikë e zezë

Pranga komandantit të njesisë speciale, vodhi para gjatë një aksioni

Më: 13 prill 2014 Në ora: 11:39

Dyshohet se vodhi një sasi parash në një automjet gjatë kontrollit në postbllok për armë zjarri dhe lëndë narkotike, arrestohet oficeri i Policisë.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka arritur të dokumentojë veprimtarinë kriminale të punonjësit të policisë, inspektorit Alfred Hyso. 34-vjeçari, me detyrë komandat grupi i Policisë së Ndërhyrjes së Shpejtë në Komisariatin e Sarandës, është akuzuar për veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. “Ngjarja ka ndodhur më 3 prill 2014, në vendin e quajtur Ura e Kranesë, ku ishin vendosur si pikë kontrolli një grup punonjësish policie prej 3 vetash. Ata kishin objekt kontrollin e automjeteve për armë zjarri dhe lëndë narkotike. Mes makinave të kontrolluara ishte dhe automjeti me të cilin udhëtonte shtetasi që bëri kallëzimin. Pas kontrollit të kryer, automjeti është larguar nga vendi i kontrollit dhe më pas shtetasi ka konstatuar humbjen e shumës së të hollave, rreth 420 euro dhe 266 dollarë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të sektorit të SHKB-së Gjirokastër, të mbështetur dhe nga strukturat e sektorit të veprimeve operacionale, bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit në ngarkim të punonjësit të Policisë Alfred Hyso”, thuhej në njoftimin e Policisë. Mësohet se oficeri i arrestuar Alfred Hyso, atë ditë ndodhej në Sarandë së bashku me grupe të tjera të FNSH-së e RENEA-s, pas ngjarjes së ndodhur në Shëndëlli, ku Taulant Xhini qëlloi me armë forcat e policisë. Mbrëmjen e ngjarjes, një patrullë e FNSH-së u dislokua në rrethrrotullimin e vendit të quajtur “Ura e Kranesë”. Bashkë me dy kolegë të tjerë, Alfred Hyso ka ushtruar kontroll në automjete të ndryshme që vinin kryesisht nga Gjirokastra ose anasjellas, apo ato që kishin drejtimin për në fshatrat jugore të Sarandës. Edhe pse angazhimi i forcave të FNSH-së u bë për kapjen e të kërkuarit Xhini, ata ngritën postblloqe njëkohësisht për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike apo armëmbajtjen pa leje. Gjatë kontrollit në një automjet, oficeri dyshohet se ka kryer edhe vjedhjen e sasisë së parave. Pasi është kontrolluar automjeti dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, shoferi është larguar. Por gjatë rrugës ai ka vënë re mungesën e parave. Denoncimin e ka kryer në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, oficerët e së cilës e kanë drejtuar për në zyrën e SHKB-së në këtë drejtori, pasi Saranda, në juridiksionin e së cilës ndodhi ngjarja, nuk ka zyrë të SHKB-së. Gjatë hetimit ka pasur dyshime të forta se oficeri që kishte vjedhur sasinë e parave gjatë kontrollit kishte qenë 34-vjeçari Hyso.

PRITA
Efektivë të Policisë së Sarandës ranë në një pritë të armatosur mbrëmjen e 3 prillit, gjatë operacionit për kapjen e një të shumëkërkuari. Breshëritë e plumbave që zgjatën për rreth 5 minuta dëmtuan makinën ku ndodheshin oficerët e kriminales, por fatmirësisht nuk pati të plagosur. Blutë ishin në një aksion për kapjen e të kërkuarit për “tentativë vrasje” Taulant Xhini, 27 vjeç. Për këtë, drejt fshatit Shëndëlli, ku ai banon, janë nisur dy automjete civile. Por ata janë qëlluar me armë në tri drejtime të ndryshme. Efektivët kanë shquar se njëri nga autorët ishte Taulant Xhini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat