Divanë të mbushur me hashash, kapen 2,3 tonë

Kronikë e zezë

Divanë të mbushur me hashash, kapen 2,3 tonë

Më: 9 prill 2014 Në ora: 10:28

Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një sasi prej gjysmë toni hashash e fshehur në mobiljet e para të trajlerit me rimorkio, por mëngjesin e djeshëm, pas një nate të lodhshme, agjentët konstatuan se në të 45 divanët që ishin imbarkuar në mjet me destinacion Italinë, gjendeshin nga 50 pako me drogë të llojit hashash. Në përfundim të peshimit nga grupi hetimor në Durrës, mesditën e djeshme u konfirmua sekuestrimi në port i sasisë më të madhe të narkotikut në dy vitet e fundit, plotë 2,3 tonë. Dhe sipas agjentëve të Antidrogës, mësohet se organizata e trafikut kishte gjetur një metodë tepër interesante, ku në vend të sfungjerit të divanëve, ishin modifikuar pakot me hashash, të mbështjella me natriban.

Operacioni nisi rreth orës 23:00 të mbrëmjes, kur mjeti po imbarkohej në tragetin “Bridge” të linjës Durrës-Bari. Në pranga u vu shoferi korrier i ngarkesës Aco Nikolovski, 41 vjeç, banues në Shkup të Maqedonisë, i cili në doganë ka deklaruar vetëm mobiljet. “I dyshuari do të udhëtonte drejt Italisë pas imbarkimit të kamionit tip “Scania” me targa SU0172SB dhe trajler me targë SU0094SB, dhe transportonte 45 divane, ku gjatë kontrollit, në brendësi të secilit prej tyre u konstatuan nga 50 pako të mbështjella me natriban të dyshuara si kanabis sativa”, thanë burime zyrtare të policisë së Durrësit.
Mësohet se droga ka kaluar në tre procese peshimi, për shkak se agjentët kanë kryer kontrolle të imtësishme në mjet dhe në pjesë të ndryshme të tij, duke e zbërthyer tërësisht. Në fillim është nxjerë pjesa e parë e drogës në një nga pjesët e kamionit dhe pastaj gjatë natës janë kontrolluar të gjitha mobilet. Ndaj Nikolovskit u ngrit akuza “trafikimi i lëndëve narkotike”, kurse hetimet i kaluan po dje Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë. Dyshohet se rrjeti i trafikut është më i madh dhe origjina e drogës mendohet të jetë midis Lazaratit dhe Maqedonisë.

Tre ditë më parë, në Akërni të Vlorës, vendi i quajtur “Hidrovori”, u sekuestrua një fuoristradë me 1,6 tonë hashash me destinacion Italinë. Ngarkesa priste mbërritjen e mjetit lundrues për t’u dërguar përtej Adriatikut. Policia ndaloi një të dyshuar që do tërhiqte me zetor gomonen dhe 5 të tjerë i shpalli në kërkim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat