Publikohet akuza zyrtare për masakrimin deri në vdekje të Ilia Karelit

Kronikë e zezë

Publikohet akuza zyrtare për masakrimin deri në vdekje të Ilia Karelit

Më: 8 prill 2014 Në ora: 11:45

Aktakuza kundër punonjësve të burgut të Nigritas, nuk lë asnjë pikë dyshimi për fajësinë e tyre në vdekjen e Ilia Karelit (Kudret Kume). Agjencia zyrtare e lajmeve, AMNA, që ka siguruar një kopje të aktakuzës, bën me dije se hetuesja Jeorgjia Tutuntzi i akuzon 15 të pandehurit si protagonistë në torturimin e të burgosurit shqiptar, tortura që përfundimisht çuan në vdekjen e tij.

Sipas aktakuzës, të gjithë ata, për më shumë se dy orë e torturuan “vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike” Ilia Karelin, me qëllim që ta ndëshkonin për vrasjen e kolegut të tyre grek, Jorgos Tsironis, më 25 mars, në burgun e Malandrinos.
Të gjithë të pandehurit, 12 gardianë, një rreshter, një tetar dhe një nga rojet e jashtme të burgut, e lagnin vazhdimisht me ujë Karelin, me qëllim që goditjet e tyre të shkaktonin sa më shumë dhimbje. “Duke vepruar të gjithë së bashku, ju e goditnit Ilia Karelin me grushte, me shkelma, me një çarçaf të modifikuar në hobe që kishte nyje të shumta, me gjatësi rreth 50 cm; e goditnit në pjesë të ndryshme të trupit, në shpinë, në këmbë, kryesisht në shputat dhe në pulpët, në gjoks, në në bark dhe në kokë, duke e lagur njëkohësisht me ujë, me qëllim që goditjet të shkaktojnë sa më shumë dhimbje”, nënvizon aktakuza. Aktakuza vë në dukje se torturimi i Karelit zgjati nga ora 15,37 deri në 18,38, në dhomën e pritjes të burgut të Nigritas, dhomë që thirret si “frigorifer”, në gjuhën e gardianëve.

Aty Karelin e vendosën sapo mbërriti në burgun e Nigritas, deri sa të kryheshin disa punime teknike në qelinë ku do të dërgohej përfundimisht e do të jepte shpirt pak më vonë, mbrëmjen e 17 marsit. Sipas aktakuzës, si rezultat i torturave Karelit iu shkaktuan plagë të shumta dhe fraktura, si dhe thyerje të kafazit të kraharorit. Kjo thyerje, nga ana e vet, ka shkaktuar filtrimin e hemoragjisë në indet e buta, duke shtypur zemrën gjatë lëvizjeve respiratore dhe lëvizjeve të trupit. Në vazhdim, rreth orës 18:38, të pandehurit e kanë ngritur peshë Ilia Karelin dhe e kanë çuar në qelinë e izolimit, ku ka qëndruar i vetëm, i lagur dhe dukshëm i lënduar, dhe nuk janë kujdesur që të vizitohej nga një mjek. Sipas akuzës, thyerja e kafazit të kraharorit, ndërthurur me aktet e torturës, “ishte e mundur të sillte dhe përfundimisht solli vdekjen për shkak të aritmisë (çrregullim i rrahjeve të zemrës). Ilia Kareli vdiq disa orë më vonë, në harkun kohor nga ora 18,38 deri 23,15, atëherë kur u konstatua se nuk merrte më frymë dhe u njoftua qendra e ndihmës së shpejtë që e transportoi në spitalin e Serresit, aty ku u konfirmua vdekja e tij, thuhet në aktakuzën e firmosur nga hetuesja e çështjes.

Greqi, sot para gjykatës gardianët që torturuan Ilia Karelin (Kudret Kumen
Pritet sot të dalin para gjykatës gardianët e burgut të Nigritas të cilët akuzohen se kanë torturuar deri në vdekje shqiptarin Ilia Kareli. Sot zhvillohet seancë vlerësimi mase sigurie për 8 nga 15 gardianët e burgut të akuzuar për vdekjen e Ilia Karelit. Në seancën e sotme, 8 gardianët e burgut të Nigritas Serres të cilët ndiqen në gjendje të lirë, pasi urdhër-arrestet ndaj tyre janë pezulluar, do të paraqesin mbrojtjen përballë prokurores Georgia Toutountzi. Prokuroria greke ka akuzuar 12 gardianë, një rreshter, një tetar dhe një nga rojet e jashtme të burgut të Nigritas për vdekjen e shqiptarit Ilia Kareli. Ndaj tyre rëndon akuza e torturës me pasojë vdekjen dhe shpërdorim detyre. Më 25 mars 2014 Ilia Kareli vrau një gardian në burgun e Malandrinos dhe më pas u transportua në burgun e Nigritas ku dhe u torturua deri në vdekje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat