Dosja nr.2 për Gjikën miratoi tre lejet për firma fantazma

Kronikë e zezë

Dosja nr.2 për Gjikën miratoi tre lejet për firma fantazma

Më: 8 prill 2014 Në ora: 08:02

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika po hetohet në një tjetër procedim penal për dhënien e tre lejeve ndërtimore në zonën e portit të qytetit, tek tre kompani ndërtimi fantazma, të cilat në periudhën kur është miratuar leja, nuk kanë ekzistuar në QKR. Lejet janë miratuar në 24 mars 2010, ndërkohë kompanitë janë rregjistruar në vitin 2011. Faktet tronditëse të kësaj dosje, kanë dalë nga verifikimet e kryera në dosjen e parë, ku Gjika është marrë i pandehur për akuzën e “Falcifikimit të dokumentave” në bashkëpunim, ku ka miratuar dy leje dhe sheshe ndërtimi për llogari të subjekteve private “En-bjo Sh.p.k” dhe “Deco System sh.p.k.”.

Për këtë akuzë Gjika dhe 7 persona të tjerë janë në proces gjykimi në gjykatën e Tiranës. Sipas burimeve të prokurorisë së Vlorës, në procedimin e dytë janë të dyshuar për “Falcifikim dokumetash” kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, sekretaria e KKRT-së në këtë bashki, Eleni Dardhaj dhe administratorët e tre kompanive që kanë përfituar leje ndërtimore si, “Leon 2011”, “Odeon-Vila” dhe “Stroytech”. Sipas prokurorisë të dyshuar në këtë çështje janë shtetasit Myzafer Velaj, Fatbardha Ismailati, Arif Velaj, Myzafer Velaj, Sanisje Velaj, Meroshe Metushaj dhe Elton Xhelili. Të gjithë këta persona sipas burimeve janë administratorë të tre kompanive të sipërcituara.

Dëshmia e Odhise Zoto
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore prokuroria vuri në dispozicion të gjykatës së Tiranës provat shkresore ku tregohej procesverbali i mbledhjes së 24 marsit 2010, ku ishte shënuar nga sekretaria miratimi i tre lejeve ndërtimore për subjektet e mësipërme. Pas paraqitjes së këtyre dy prova, në seancën gjyqësore ka dëshmuar ish-drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Vlorë, Odhise Zoto dhe njëri prej kallëzuesve Mezan Mezani. Në dëshminë e tij ish-drejtori i Urbanistikës ka pohuar para gjykatës se në mars 2010 ka qënë prezent në mbledhjen e KRRT-së.

Sipas tij, ai ka qënë në cilësinë e anëtarit dhe se gjatë zhvillimit të mbledhjes nuk është diskutuar në asnjë moment miratimi i dy lejeve dhe shesheve të ndërtimit për dy subjektet “En-bjo Sh.p.k” dhe “Deco System Sh.p.k.”. Dëshmitari ka shtuar se ai nuk ishte në dijeni se si ishin shtuar në procesverbal pikat e miratimit të këtyre dy lejeve ndërtimore. Ndërkohë në gjykata dëshmitari tjetër Mezan Mezani,ka akuzuar Bashkinë dhe INUK-un për lejimin e ndërtimit të pallatit në zonën e Portit mbi pronën e tij. Në këtë seancë gjyqësore i pandehuri Shpëtim Gjika nuk ka qënë prezent, pasi ishte pjesëmarrës në takimin e prezantimit të prefektes së re në Vlorë.

Dëshmia e ekspertes
Ekspertia Luiza Bala është pyetur për të dytën herë në gjykatën e Tiranës, ku ka shpjegur shkeljet që janë bërë në miratimin e dy lejeve ndërtimore. Në seancën e djeshme, ekspertia duket se ka zbutur disi akuzat e saj kundër Gjikës, duke pohuar se pallati i ndërtuar në zonën e portit të Vlorës, ishte ndërtuar në një zonë të banuar. Sipas saj shkelje në këtë objekt ishte ndërtimi i 1 kati më tepër, duke bërë që të shkelet ligji. Në seancën e javës së shkuar, ekspertia Bala debatoi me avokatin e Gjikës dhe vetë kryebashkiaku, duke pohuar në sallën e gjyqit se dy pallatet ishin ndërtuar në zona që nuk lejohet miratimi i lejeve të ndërtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat