Vrasja e Kumes thellon skandalin në Greqi, mjekët i morën zemrën

Kronikë e zezë

Vrasja e Kumes thellon skandalin në Greqi, mjekët i morën zemrën

Më: 6 prill 2014 Në ora: 08:42

-Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë kryer autopsinë e trupit Kudret Kumes, të masakruar nga gardianët grekë, kanë dalë në përfundime tronditëse; 43-vjeçarit i mungonte zemra! Skandali thellohet për autoritetet e drejtësisë dhe të shtetit grek, kur mjekët shqiptarë kanë konstatuar se në të vërtetë, zemra Kumes iu ka hequr gjatë kryerjes së autopsisë nga ana e homologëve grekë. Ndonëse katër ditë pas ngjarjes së rëndë që ka tronditur jo vetëm dy vendet, një nga mjeket që ka asistuar në kryerjen e ekspertizës, doli publikisht në mediet e vendit të vet dhe përgënjeshtroi mediet shqiptare, pasi sipas saj, në trupin e ‘Ilia Karelit’ nuk ka patur thonj të shkulur apo plagë djegieje në këmbë dhe në trup. Mirëpo, më rëndë se sa torturat çnjerëzore të publikuara ditë pas dite, për një ndër aktet më të rënda të një krimi shtetëror ndaj një të burgosuri, rezulton fakti i bërë publik tashmë nga ekspertët tanë. Referuar të dhënave të hetimit bëhet me dije se gjithë akti i këtij ekspertimi është vënë në dispozicionin e prokurorisë së Fierit dhe madje ekspertët mjeko-ligjor kanë përcaktuar edhe pyetjet për të cilat prokuroria e greke nëpërmjet prokurorisë së Fierit, duhet të iu kthejë përgjigje.

Skandali, dorëzohet Mjekësia Ligjore

Edhe pse prej ditësh masakra në burgun e Nigritas ka ngritur në këmbë kompetentët e hetimit në Greqi, autoritetet tona, rrallë janë shfaqur publikisht për të mbajtur ndonjë qëndrim. Informacioneve që vinin nga mediet vendase në lidhje me torturat monstruoze me të cilat iu kishte marrë jetë 43-vjeçarit, bënë që nga ana e autoriteteve tona jo vetëm të mos publikohet asnjë lloj detaji mbi skandalin grek, por madje nuk u fol as mbi ekspertimin mjeko-ligjor të bërë nga mjekët shqiptar. Familjarët e Kumes e denoncuar aktin monstruoz të mungesës së zemrës në trupin e djalit të tyre, por të dhënat tronditëse për këtë fakt tashmë janë depozituar në prokurorinë e Fierit. Sipas të dhënave saktësohet se në raportin disa faqesh, mjekët ligjor i kërkojnë akuzës shqiptare të kërkojë sqarime nga pala greke për arsyen e mungesës së zemrës. Sipas ekspertëve, në çdo autopsi të trupit të një viktime, merren kampion indesh edhe nga zemra, por në asnjë rast nuk hiqet i gjithë organi jetësor. Gjithashtu, ekspertët kanë konstatuar se në bërrylat e dy duarve, Kumes i mungon një pjesë e mishit, siç është konstatuar edhe mungesa e thonjve të gishtave të dorës dhe këmbës, ku një pjesë e tyre është hequr me gjithë mishin. Për këto dy konstatime, ekspertët i kërkojnë prokurorisë së Fierit që me anë të letërporosisë të kërkohen sqarime për këto dëmtime të mëdha dhe të pazakonta në trupin e një viktime. Ekspertët në raportin e tyre, kanë argumentuar edhe shkakun e vdekjes, i cili mendohet se ka ardhur nga dhuna e ushtruar me sende të forta. Si pasojë e kësaj dhune, ekspertët konkludojnë se Kumes i është thyer kafka, kraharori, disa brinjë që i kanë shkaktuar dëmtime në mushkëri si dhe hematoma të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Bazuar në këtë raport dhe ankesën e familjarëve, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet që pritet në ditët në vazhdim të marrë në pyetje edhe të afërmit me të cilët ditët e fundit Kudret Kume ka komunikuar në telefon që më pas, kjo dosje të përcillet drejt autoriteteve të drejtësisë greke.

Totozani: Familja palë në gjyqin për Kumen

Avokati i Popullit, Igli Totozani nga Pogradeci deklaroi ditën e djeshme, se vdekja e Ilia Karelit në burgun grek është një rast i paprecedent, i cili tregoi se në burgjet e Greqisë ushtrohen tortura çnjerëzore dhe të pazakonta. Sipas Totozanit, gardianët grekë i dhanë Karelit dënim joligjor për vrasjen që ai kreu, duke vrarë një prej kolegëve të tyre. Avokati i Popullit bëri të ditur gjithashtu se institucioni i tij i ka dërguar një letër Ministrisë së Jashtme, ku i kërkohet që familja e Ilia Karelit të ndjekë procesin gjyqësor nga afër dhe të arrijë të sigurojë edhe dëmshpërblim mbi humbjen e djalit të tyre. Totozani vlerësoi rolin e Prokurorisë dhe medieve greke për trajtimin e vdekjes së shqiptarit në burgun e shtetit fqinj. Ai gjithashtu ka kërkuar edhe ndërhyrjen e homologes se tij në Greqi jo vetëm mbi ngjarjen, por që të japë ndikimin e saj edhe në ndryshimin e kushteve në burgjet greke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat