Nëna e islamikut në Siri: Mori dhe fëmijët, vajzën 11 vjeçe e mbuloi me shami

Kronikë e zezë

Nëna e islamikut në Siri: Mori dhe fëmijët, vajzën 11 vjeçe e mbuloi me shami

Më: 6 prill 2014 Në ora: 08:20

Më shumë se 5 muaj nga largimi i Krenar Shulit nga fshati Gurras i Pogradecit për në Siri, të afërmit e tij bëjnë apel për ndihmë. Prej një muaji, që kur bënë denoncimin, ata nuk kanë asnjë lajm prej tij, bashkëshortes dhe 3 vajzave të mitura, 11 e 9 vjeçe dhe 2 muajshe. Rreth një muaj më parë, babai i 35-vjeçarit akuzoi imamin e vetëshpallur të Unazës së Re, Genc (Abdurrahim) Ballën se i kishte rekrutuar djalin dhe bashkë me familjen e kishte çuar të luftonte në Siri.
NENA
Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Asije Shuli, nëna e Krenarit, deklaron se i biri para se të ikte shleu të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe më pas lëshoi me qira tokat e tij për një periudhë 5-vjeçare. Ajo rrëfen se paratë e marra i ka përdorur për të ikur në Siri. Ndërkaq, Asije Shuli pohon se para largimit, ndërsa Krenari takohej me Abdurrahim Ballën në Librazhd, nusja dhe mbesa 11-vjeçare merrnin mësime feje nga gruaja e Ballës, i njohur si organizator i rekrutimeve të të rinjve shqiptarë për në Siri.

Znj. Asije ka kaluar më shumë se një muaj nga denoncimi juaj. A keni marrë ndonjë lajm për djalin tuaj, Krenarin?
Nuk kemi marrë asnjë informacion. Nuk dimë asgjë për fatin e djalit, bashkëshortes dhe vajzave të tij. Prej gati 1 muaji ai ka ndërprerë komunikimin me ne. Ne kemi një numër të tij, për të cilin policia na tha se është me prefiks sirian, por tashmë ai numër figuron i mbyllur.
Si do e përshkruanit Krenarin?
Një djalë i shkëlqyer, besimtar dhe i sjellshëm. Në fakt, ishte shoqërimi i tij me Abdurrahim (Genci) Ballën, çka solli më pas edhe largimin e tij drejt Sirisë. Vajzën e madhe që ishte vetëm 11 vjeçe e ndaloi nga shkolla dhe e mbuloi me shami. Ndërsa Krenari shkonte çdo ditë në Librazhd, nusja merrte fëmijët dhe shkonte bënte mësime për fenë tek gruaja e Abdurrahim Ballës. Pas kësaj, ai ndryshoi i gjithi si njeri, ndërsa para se të ikte kishte përgatitur gjithçka në shtëpi.
Pse thoni kishte përgatitur gjithçka?
Thoshte gjithmonë që borxhet nuk i lejon feja islame dhe para se të largohej, kishte shlyer të gjitha detyrimet e tij ndaj shtetit, energjinë elektrike, ujin, taksat e tokave. Më pas kishte bërë dhe një kontratë qira-dhënie për tokën që administronte, ia kishte dhënë një fshatari dhe i kishte marrë 40 mijë lekë për 5 vite. Ato para i ka përdorur për në Turqi.
Çfarë kërkoni?
Kërkoj të më kthehen mbesat. Krenarin e kam djalë, nëse do, le të rrijë në Siri, por mbesat të kthehen, pasi njëra është vetëm 2 muajshe dhe nuk e di si mund të jetojë në një vend ku luftohet. Më dhemb shpirti, shpresoj që shteti të më kthejë të paktën fëmijët.
VELLAI BINJAK
Edi Shuli është vëllai binjak i Krenarit. Ai është imam i xhamisë së fshatit Gështenjas në Pogradec. Edhe pse ishte bërë gati për të falur xhumanë me besimtarët e fshatit, ai gjen pak kohë për të na pritur. Ndryshe nga Krenari, Edi është kundër vajtjes së shqiptarëve në Siri. Ai pohon se nuk e ka ditur largimin e vëllait, pasi do ta kishte ndaluar. Vëllai binjak i Krenar Shulit deklaron se në Siri nuk ka xhihad. "Xhihadi është të luftosh me hallet, probleme e tua dhe realisht në Shqipëri këto probleme janë të shumta, nuk na duhet Siria", thotë Edi Shuli.
Keni marrë lajme nga vëllai juaj?
Jo, nuk kemi marrë asnjë telefonatë. Kam më shumë se një muaj e gjysmë që nuk kam kontaktuar me vëllain tim. Nuk di ç'të them se ku ndodhet tani Krenari dhe çfarë bën. Ky ishte vendimi dhe zgjedhja e tij. Ai është përgjegjës për jetën dhe familjen e tij, unë nuk ndërhyj.
Ishte besimtar Krenari?
Patjetër që ishte besimtar. E donte fenë islame dhe falej rregullisht në xhami. Sigurisht, që nuk falej në xhaminë e fshatit Gurras apo aty ku unë jam imam, por thoshte se shkonte në Pogradec.
Babai juaj pak kohë më parë akuzoi si përgjegjës për dërgimin e djalit dhe familjes së tij në Siri imamin e vetëshpallur të Unazës së Re, Abdurrahim Ballën. Ju e njihni atë?
Nëse dikush është besimtar dhe falet në xhami, për mua është njeri i mirë. Nuk di të them se çfarë fshihet brenda tij. Në fenë islame gjykatës është vetëm Allahu. Vetëm ai mund të gjykojë.
Sa i lidhur keni qenë ju me vëllain tuaj?
Ishte shumë i lidhur me mua, ndoshta edhe për faktin se ishim binjakë, por pavarësisht kësaj, ai nuk më tregoi asgjë për vendimin që kishte marrë. Nëse do e dija, do i thosha të mos shkonte askund, do përpiqesha ta ndaloja. Në të vërtetë, duhet të dinte se Siria është për sirianët dhe Shqipëria për shqiptarët.
Ka xhihad në Siri?
Xhihadi është në vendin tënd. Xhihadi është të luftosh me hallet, probleme e tua dhe realisht në Shqipëri këto probleme janë të shumta, nuk na duhet Siria. Feja islame nuk e do luftën. Ata nuk duhet të kishin shkuar në luftën e Sirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat