Shqiptarja shtatzënë arrestohet se vodhi një palë këpucë për bebin

Kronikë e zezë

Shqiptarja shtatzënë arrestohet se vodhi një palë këpucë për bebin

Më: 5 prill 2014 Në ora: 12:09

Shumë njerëz në Iraklio të Kretës ndjenë keqardhje kur mësuan se gruaja e re që mezi ecte për shkak të barrës, ishte arrestuar në sytë e tyre brenda qendrës tregtare, me dyshimin se vodhi një palë këpucë bebesh.

Ngjarja që ka shkaktuar dhimbje te shumë njerëz, ndodhi dje në një qendër tregtare në Iraklio të Kretës në Greqi, raporton korrespondenti i noa.al.

Gruaja e re nga Shqipëria, e cila jeton prej vitesh me familjen si emigrantë në Greqi, gjendet në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Ajo kishte shkuar në qendrën tregtare në Iraklio dhe në një nga dyqanet kishte parë një palë këpucë bebesh. Duket se i ka qarë zemra për t’ia blerë bebes që pret të sjellë në jetë, por ndoshta nuk ka pasur mundësi t’i blinte.

Gjithsesi, në një moment këpucët e bebes kanë përfunduar në çantën e saj.

Kur ka dalë nga dyqani, duket se vjedhja është zbuluar nga sinjalet e sigurisë.

Shitësit kanë vrapuar të thërrasin policinë dhe kjo e fundit e ka arrestuar shqiptaren 28 vjeçare.

Tani ajo do të përballet me gjykatën pasi policia dhe prokuroria ngritën ndaj saj akuzë për vjedhje duke e ndjekur në gjendje të lirë.

Gjatë minutave të arrestimit, shumë njerëz u afruan dhe kërkuan nga policia që të ishte më tolerante në këtë rast. Disa prej të pranishmëve kërkuan që e reja shtatzënë të lihej e lirë dhe telashet me drejtësinë të mos e ndiqnin në vazhdim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat