Poston foton në Facebook, arrestohet nga policia

Kronikë e zezë

Poston foton në Facebook, arrestohet nga policia

Më: 3 janar 2014 Në ora: 19:59

Rrjeti social Facebook po bëhet gjithnjë e më shumë një iniciator i arrestimeve të personave në kërkim. Këtë herë “viktimë” e Facebook-ut është bërë i riu nga Shkodra, Nik Kodra. Ky i fundit u arrestua në qytetin e Shkodrës, pasi policia nisi kërkimet, pas një fotoje që i riu kishte postuar në Facebook. 29-vjeçari kishte postuar një foto në profilin e tij në Facebook, ku në pamjen pas shpinës së tij shfaqej një liqen. Pas hetimeve që policia i bëri fotos u arrit të kuptohej se bëhej fjalë për liqenin e Shkodrës dhe se i shumëkërkuari mund të fshihej në këtë qytet.

Natën në vigjilje të Vitit të Ri 2014, policia ka kryer një operacion duke e vënë në pranga 29-vjeçarin Nik Mark Kodra. Operacioni për kapjen e tij u bë në bashkëpunim me policinë italo-shqiptare, ku i pranishëm ishte përfaqësuesi i policisë së Arezzo-s, Giovanni Schettino.

Mediat italiane i kanë kushtuar sot jehojnë të gjerë këtij lajmi. Ata thonë se Nik Kodra është arrestuar në qytetin e tij të lindjes Shkodër, pasi është dënuar me 13 vite burg për tentativë vrasjeje ndaj Rodian Ruçit, anëtar i bandës së tij rivale me të cilin u përball në 29 mars 2009, ngjarje në të cilën mbeti i vrarë edhe një punëtor ndërtimi.

“Ishte në shtëpi me nënën dhe babanë në qytetin e Shkodrës. Kur brenda 10 minutash ka hyrë në derë policia. Nuk mund të jesh i sigurt as në Shqipëri”, - kanë qenë fjalët e para të Nik Kodrës, i etiketuar nga mediat italiane si kryetar i një grupi kriminal në Itali.

Motivi i ngjarjes për të cilën kërkohej Nik Kodra është rrjeti i prostitucionit dhe veçanërisht shfrytëzimi i një femre, Maria Vacaru. Ajo kishte si mbrojtës (tutor) bandën Kodra, por kishte vendosur që ta braktiste këtë të fundit dhe të vazhdonte punën me Rodian Ruçin, i cili i përkiste bandës rivale. Por kjo çoi në acarimin e gjendjes ndërmjet dy bandave. Pas një përplasjeje të bandave në Cadorna, ku pati edhe shkëmbimi zjarri, mbeti i plagosur Rodian Ruçi dhe humbi jetën Agim Leka.

Nik Kodra u dënua me 13 vjet burg për tentativë vrasjeje ndaj Rodian Ruçit, së bashku me një bashkëpunëtor të tij. Atij i kanë ngelur për të shlyer edhe 11 vjet e 9 muaj burg. Kurse për vrasjen e Agim Lekës dy persona gjenden në burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat