U dënua Emin Krasniqi me 23 vite burgim, për vrasje të rëndë

Kronikë e zezë

U dënua Emin Krasniqi me 23 vite burgim, për vrasje të rëndë

Më: 13 gusht 2012 Në ora: 18:03

Trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendas, i kryesuar nga njëri gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit e dënoi Emin Krasniqin me 23 vite burgim për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe lëndimit të rëndë trupor.

Siç bën të ditur komunikata, Durim Krasniqi u shfajësua për vrasje të rëndë ndërsa u dënua me një vit burgim për veprën penale: mbajtje e paautorizuar e armëve në pronësi, në kontroll, në posedim apo në përdorim.

Berat Krasniqi u dënua me një dënim të përgjithshëm prej shtatë vite e pesë muaj burgim për dy pika të akuzës: lëndim i rëndë trupor dhe mbajtje e paautorizuar e armëve në pronësi, në kontroll, në posedim apo në përdorim.

Astrit Krasniqi dhe Hazir Krasniqi u dënuan me nga dy vite burgim secili për veprën penale: ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Të akuzuarit janë akuzuar në lidhje me vrasjen e Skender Limajt në fshatin Banjë të Malishevës në janar 2011. Po ashtu, gjatë këtij incidenti qenë plagosur edhe pjesëtarë tjerë të familjes Limaj.

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror vendas i Prokurorisë Speciale të Kosovës. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat