Ismaili: Korrupsioni ka dëmtuar shëndetësinë, kemi kursyer 6 milionë euro në barna

Kosova

Ismaili: Korrupsioni ka dëmtuar shëndetësinë, kemi kursyer 6 milionë euro në barna

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 11:45
Uran Ismajli

(E plotësuar) - Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka deklaruar se korrupsioni ka dëmtuar rënd sektorin e shëndetësisë dhe ka thyer besimin në mes qytetarit dhe sistemit shëndetësor.

Ai në një konferencë për media, ka bërë të ditur se këtë vit kanë arritur të blejnë barna 6 milionë euro më lirë sesa vitin e kaluar. Për këtë ai ka akuzuar qeverisjen e kaluar të shëndetësisë se kanë keqpërdorur buxhetin për blerje të barnave.

Kreu i Shëndetësisë, ka thënë se me marrjen e mandatit ka gjetur një situatë kaotike në shëndetësi, ku ai tha se kishte gjetur kontrata të tejkaluara dhe blerje të jashtëligjshme, çmime të fryra, mungesa të mëdha në sistemin shëndetësor.

Sipas tij, arsyetimi me të cilin Ministria e Shëndetësisë e kishte marr buxhetin nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale ishte  përkeqësuar ndër vite, ku ai tha se ishte synuar reforma në shëndetësi por kishte ndodhur krejt e kundërta.

Ismaili: 6 milionë euro barna më lirë se vitin e kaluar

“Të gjitha kontratat e jashtëligjshme janë ndërprerë dhe kemi filluar hulumtimin e tregut që të bëjmë krahasime e që të mos lejojmë që blerjet tona të jenë shumë fish më të shtrenjta se barnatoret në lagjet tona. Këto veprime kanë pasur sukses  të jashtëzakonshëm. Sot, Ministria e Shëndetësisë ka blerë 6 milionë euro barna më lirë se vitin e kaluar, 6 milionë euro të cilat janë shpëtuar nga keqpërdorimi, 6 milionë euro të cilat kanë mundësuar që të investohet në spitale, në pajisje, në shtretër për pacientët tanë. Korrupsioni në shëndetësi është dhimbje direkte te qytetarët tanë dhe është humbje e madhe financiare për ta. Qytetarëve u janë krijuar shpenzime të jashtëzakonshme, sepse buxheti është keqpërdorur dhe nuk është investuar për pacientët tanë, po për të paguar çmime të fryra dhe pasurim në kurriz të pacientëve”, tha ai.

I pari i Shëndetësisë tha se ata që janë dëmtuar më së shumti janë familjet kosovare, ku sipas tij korrupsioni në institucione varfëron me mijëra familje.

Ai përmendi rastin e ilaçit të ‘Imatinibit’, i cili përdoret kundër kancerit dhe leukemisë, në vitin 2016 ministri Ismaili tha se është blerë 652 mijë euro, ndërsa sasinë e njëjtë tashmë e kanë blerë me 75 mijë euro, ndërsa vetëm për një kontratë janë shpëtuar 577 mijë euro.

Ai ka deklaruar se nuk do të ndalen me reforma derisa të kthehet besimi i qytetarëve në shëndetësinë kosovare.

Fajin për blerjen e barnave më shtrenjtë dhe për keqpërdorime, ministri Ismaili ka akuzuar qeverisjen e kaluar, ku ai tha se keqpërdorimet kanë ndodhur gjatë vitit 2016 dhe 2017, kohë kur me Shëndetësisë ka udhëhequr Imet Rrahmani nga LDK-ja.

Ismaili: Janë keqpërdorur gjatë vitit 2016, 2017

“Këto realisht janë keqpërdorur gjatë vitit 2016, 2017 dhe një pjesë në ato vite që ka qenë. Nga ajo që ne kemi parë sot nga analizat tona kemi arritur të kursejmë një buxhet prej 6 milionë euro, që do të thotë po ajo shumë ka mundur të kurset edhe viteve të kaluara. Është e vërtet se kanë qenë milionat në pyetje, miliona të cilat janë dëmtuar dhe rrjedhimisht është blerë më pak barna, se është blerë më shtrenjtë dhe duke blerë më shtrenjtë pacientët kanë pas një sasi më të vogël të barnave”, u shpreh ministri.

Ai ka folur edhe për rastet kur zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë janë akuzuar për vepra të ndryshme, ku ka thënë se të gjithë ata që mbajnë pozita publike duhet të jenë të kujdesshëm, pasi sipas tij nuk do të lejojnë që të keqpërdoret paraja publike.

Ismaili: Nuk do të lejojmë vjedhjen e parasë publike

“E jona është që t’u japim të gjitha dokumentet, e jona është që aty ku shohim keqpërdorim ta paraqesim, ta lajmërojmë, të mos falim askënd pa marrë parasysh emër mbiemër, apo pozitën që e mbajnë. Dëshiroj ta dërgoj edhe këtë porosi se kjo politikë ka filluar shumë më herët sesa java e korrupsionit, por tani e gjetëm një arsye për të folur më shumë. Të gjithë ata që mbajnë pozita publike në MSh, që mbajnë përgjegjësi ndaj parasë publike duhet të jenë shumë të kujdesshëm ngase nuk do të lejojmë vjedhjen e parasë publike dhe nuk do të lejojmë që familjet në Kosovë pastaj ta vuajnë atë dhe të paguajnë me xhepin e tyre. Jam shumë i bindur që organet e rendit do të veprojnë shpejt në mënyrë që të mos krijohet ideja që dikush po vjedh, por prapë së prapë nuk po përgjigjet para ligjit”, tha ai.

Kjo konferencë e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili është bërë në kuadër të ‘Javës kundër korrupsionit’.

***

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka thënë se korrupsioni ka dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë kosovare.

Sipas tij nga blerja e barnave këtë vit kanë kursyer 6 milionë euro.

"Korrupsioni ka dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë dhe ka dëmtuar besimin e qytetarëve. Blerja e barnave u përkeqësua ndër vite. Me ardhjen në mandat kam parë që ka shumë probleme. Të gjitha kontratat e jashtëligjshme janë ndërprerë. Kjo politikë dhe këto veprime kanë pasur sukses. Sot Ministria e Shëndetësisë ka blerë 6 milionë euro barna më lirë  sesa vitin e kaluar. 6 milionë euro që kanë mundësuar të shfrytëzohen në pajisje", tha Ismajli në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Ai tha se paratë publike janë keqpërdorur në vitet 2016- 2017.

 "Shëndetësia kosovare ka lënguar gjatë nga korrupsioni, por tash kemi arritur t’i shpëtojmë 6 milionë euro. Ne nuk do të ndalemi. Këto realisht janë keqpërdorur gjatë vitit 2016, 2017. Nga ajo që kemi parë, kemi arritur të kursejmë 6 milionë euro. Është e vërtetë se kanë qenë miliona në pyetje se janë blerë më shtrenjtë", tha Ismajli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat