Vlerat patriarkale sfidojnë barazinë gjinore edhe në fushën e arsimit

Kosova

Vlerat patriarkale sfidojnë barazinë gjinore edhe në fushën e arsimit

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 13:22
Pamje nga takimi

Në Kosovë mungon meritokracia, prandaj edhe vihet në pah pabarazia gjinore, sidomos në fushën e arsimit të lartë dhe në vendet e punës.

Kështu tha rektorja e kolegjit Riinvest, Bardha Qirezi, në bashkëbisedimin "Gratë në Arsimin e Lartë dhe barazia në punë", të organizuar nga ky kolegj, ku rëndësi e veçantë iu kushtua nevojës për barazi gjinore.

Qirezi tha se në Kosovë dy barrierat kryesore që sipas saj ndikojnë në pavarësinë e grave janë: skema e fëmijëve dhe ajo e pleqve.

"Sa i përket ambicieve, ne kemi qasje të barabarta në arsim. Braktisjet janë në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe vitit të fundit në fakultet. Po ashtu kemi një nën përfaqësim në disa fusha siç janë studimet master dhe doktoratura. Unë mund të sugjeroj se braktisja ndodhë për shkak të rolit të grave në familje, kushteve ekonomike. Ne në Kosovë strukturën familjare e kemi më të madhe sesa vetëm bashkëshortët dhe fëmijët. Dhe për pavarësi nevojitet përkrahje financiare", tha Qirezi.

Profesoresha e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Nita Luci tha se vlerat patriarkale dhe strukturore vazhdojnë ta sfidojnë barazinë gjinore. Ajo theksoi se barazia gjinore duhet të jetë parim strukturor e jo të shihet në numra.

"Janë një numër i problemeve të evidentuara në fushën e arsimit. Problemi i parë ka të bëjë me vet strukturën e pabarazive. Në MAShT deri më tani nuk ka pasur një grua si ministre apo zëvendësministre.  Sipas Agjencionit Statistikor të Kosovës në vitin 2014 në postin e ministrit ka qenë një burrë dhe në postin e zëvendësministrave tre burra. Në MAShT, gratë nuk e mbajnë asnjërën nga 8 pozitat vendimmarrëse. Ndërsa në poste udhëheqëse janë rreth 23 për qind gra. Gjithashtu, burrat marrin 40 për qind të mëditjeve dhe të pagave nga MAShT-i.Në UP regjistrohen më shumë gra se burra, mirëpo vërehet se ka favorizim më të madh të djemve se sa të vajzave", u shpreh ajo.

Sipas saj, ristrukturimet ekonomike në 20 vitet e fundit kanë ndikuar në uljen e mirëqenies.

Ariana Qosaj nga KIPRED theksoi se statistikat e përfaqësimit të grave në institucione janë shqetësuese. Ajo theks të veçantë i kushtoi përfaqësimit të grave në politikë.

"Përfaqësimi në emërimet politike mbetet ende sfidë. Nga 21 ministra, vetëm një është grua. Kjo tregon se sa e përcjellim trendin e votuesve dhe sa hapësirë ju japim grave sepse pozitat janë të rezervuara për burra. Nga 64 zëvendësministra vetëm 3 janë gra dhe 61 janë burra. Dhe nga 66 këshilltarë politik, 14 gra dhe 52 janë burra. Për këtë arsye e quaj Oda e burrave", theksoi ajo.

Ekonomistja dhe hulumtuesja Dita Dobranja tha se është shumë me rëndësi fokusi në cilësi, se si dalin gratë në tregun e punës.

Ajo tha se barrierat lidhen zakonisht me mungesën e kohës. Sipas saj, pavarësia ekonomike e gruas mundëson që gratë që mund të kenë lidhje abuzive, të largohen nga ajo.

"Barra që janë shoqëria dhe familja janë barra që i bënë ato të varura nga koha. Kjo e bënë më problematike përzgjedhjen e asaj se çfarë të bëjnë pastaj. Gratë që gjejnë punë dhe punësohen, rreth 52 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë diskriminim në vendin e punës", theksoi Dobranja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat