Ramiz Lladrovci bën një lëshim të “dhimbshëm”, i kërkon falje Bekim Jasharit

Kosova

Ramiz Lladrovci bën një lëshim të “dhimbshëm”, i kërkon falje Bekim Jasharit

Nga: A.ZH Më: 20 shtator 2018 Në ora: 19:29
Pamje nga ceremonia e vendosjes se shtatores

Sot në sheshin e Drenasit është vendosur shtatorja e Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi – Lladrovcit, heroit dhe heroinës së Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i kësaj komune, vëllai i Fehmiut, Ramiz Lladrovci, ka thënë se rruga e tij dhe Xhevës deri në këtë shesh, zgjati 20 vjet.

“Nga sot, Feha e Xheva, janë pjesë edhe e jetës tonë, këtu në shesh, ashtu siç ishin dhe janë pjesë e idealeve tona për liri”, ka thënë ai në fjalën e tij.

Por, kryetari Lladrovci, në fillim të fjalimit të tij, ka harruar të lexojë një pjesë të shkrimit.

Ai për këtë i ka kërkuar falje kryetarit të Komunës së Skenderajt Bekim Jasharit dhe kryetarit të qytetit australian, Dandenong, Xhim Memeti.

Reagimi i plotë i Lladrovcit:

I nderuari SH.J. Z. President Hashim Thaçi,

I nderuari President i shtetit Shqiptar, mik i dashur i familjes sonë, z. Ilir Meta,

I nderuari SH.J.Z. Kryeparlamentar, Kadri Veseli

I nderuari Sh.J. Z. Kryeministër, Ramush Haradinaj,

Të nderuar ish president, Mejdani, Mojsiu dhe Sejdiu,

I dashur vëlla Ali Ahmeti, Pandeli Majko, Akademik Daci,

Gjeneral Rrahman Rama, Sami Lushtaku e Nuredin Lushtaku,
Deputetë, Ministra, kryetar komunash e asambleistë,

Të nderuara Familje të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë,

Të nderuar invalidë dhe veteranë të UÇK-së,

Zonja e Zotërinj,

Sot, kemi realizuar një nga detyrat për personalitetin e Fehmi Lladrovcit e Xhevë Krasniqit - Lladrovcit, heroit dhe heroinës së Kosovës, nderi i kombit.

Rruga e Fehës dhe Xhevës deri në këtë shesh, zgjati 20 vjet. Ishin vite edhe të rënda edhe plot mall.

Nga sot, Feha e Xheva, janë pjesë edhe e jetës tonë, këtu në shesh, ashtu siç ishin dhe janë pjesë e idealeve tona për liri.

Sot, me nderim të thellë, përkujtojmë, heroinën nga Bistrica e Shalës, Fatime Hetemi si dhe studentin nga Prishtina, Shefqet Zeka.

Sot, kisha dashur të jetë me ne edhe Baba Tush në këtë ditë veçantë, edhe pse e parandjente se shtatoret ende pa u hedhur në bronz, gjatë punimeve i kishte pëlqyer shumë.

Por, me ne është nëna Ki, e cila ka kujtimet e historisë tonë të re, që nga mësuesi i parë i Fehës, heroi Fazli Grajçevci, për axhën tim, Jahir Lladrovcin që u vra në luftë dhe të gjithë shokët e organizimit dhe rezistencës së armatosur nga Ademi, Hamza, Ilazi, Shabani, Aliu, Hafiri... e shumë e shumë të tjerë.

Kujtime krenare për kontribuuesit e jashtëzakonshëm për lirinë tonë.

Mysafirë të nderuar,

Mbrapa meje, do të jetë vendi ku do t’i vendosim shtatoret e Heronjve Bedri Shala e Rasim Kiçina. Do ta ndërtojmë një shesh edhe më të bukur se sa ky, ku sot, po i zbulojme shtatoret.

200 metra nga këtu, në udhëkryqin mbi hekurudhë, ku në janar të vitit 1990, policia serbe e ardhur enkas nga Beogradi, vrau 3 dhe plagosi 28 demonstrues, qe po kerkonin demokraci, po ne ate vend me urdhër të Adem Jasharit, u mor hak për Sahitin, Enverin dhe Shaniun.

Ndërsa rreth 100 metra nga këtu, andej nga do të kaloj rruga me katër korsi, afër vendit ku po ashtu me urdhër të Adem Jasharit dhe ne dijeni të Fehmi Lladrovcit, në shtator të vitit 1992, u krye aksioni i parë i UÇK-së, dhe mu aty, do të vendosim shtatoret e Jasharëve.

Po vëllezër e motra, këtu, jemi afër udhëkryqit të historisë. Pothuajse, secili nga ne pjesëmarrësit në këto aksione të para të UÇK-së, kemi nga dy e më shumë plumba në trupat tanë.

Këtu ishte burimi i lirisë, rezistencës, qëndresës dhe djepi i UÇK-së, ne jemi krenar se mund të tregojmë për fillin e historisë së çlirimit të vendit.

Motra e vëllezër,

Faleminderit për praninë Tuaj në këtë manifestim!

Ju sot keni nderuar luftën tonë të shenjtë çlirimtare, keni nderuar vuajtjen dhe sakrificën e Drenicës, keni nderuar çdo shqiptar, sepse, çdo përpjekje jona, ishte e motivuar për ditën e sotme.

Qoftë i përjetshëm kujtimi ndaj të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Drenas, më 20.9.2018

Sqarim:
Me keqardhje, nga fjalimi im, hyrës, ka rënë fjalia:

Kryetari i Skënderajt, pjesëtar i familjes legjendare Jashari, Bekim Jashari,

dhe

I nderuari miku im, Xhim Memeti, kryetar i qytetit australian, Dandenong.

Kërkoj falje nga Bekimi dhe Xhimi, ngase, ishte lëshim i dhimbshëm për mua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat