Matoshi: Importimi i veturave të vjetra dëmton qytetarët

Kosova

Matoshi: Importimi i veturave të vjetra dëmton qytetarët

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 15:06
Fatmir Matoshi

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka deklaruar se ndryshimi i ligjit për automjete që lejon importimin e veturave më të vjetra se sa dhjetë vite, nuk duhet të ndodhë, pasi që do të ishte në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Iniciativa e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, konkretisht ndryshimit të nenit 44, që mos të jetë kriter çështja e vjetërsisë për regjistrim të automjetit, ka kaluar në lexim të parë, por kundër ndryshimit të ligjit po del të jetë edhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

 Matoshi: Heqja e kufizimit nuk duhet të ndodhë 

“Angazhimi ynë i përditshëm është që ky ligj të mbetet në fuqi. Ne nuk duam që në Kosovë të importohen makina të vjetra sepse është konstatuar se makinat hyjnë në mesin e ndotësve kryesor të ajrit. Ne po hyjmë tash në sezonin e dimrit, kemi edhe task forcën për ajrin. Ajrin, mjedisin, ambientin  e kemi vendos në prioritet shtetëror, prandaj një vendim i propozuar nga kushdo qoftë që largon vjetërsinë si kriter për zhdoganim të automjeteve nuk do të jetë i mirë, dhe do të jetë në dëmë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Për udhëzimin administrativ ku parashihet ndëshkimi për ata që hedhin mbeturina në vendet publike, Matoshi tha se nuk ka qenë i paraparë me agjendë legjislative por që tani e kanë dërguar kërkesën në Qeveri në mënyrë që të hyjë në agjendë.

Ai tha se gjatë javës së ardhshme udhëzimi do të jetë gati për nënshkrim.

Matoshi: Udhëzimi i gatshëm për nënshkrim javën e ardhshme 

“Ky udhëzim administrativ nuk ka qenë i paraparë me agjendën legjislative dhe tanimë e kemi dërgu kërkesën edhe në Qeveri që ta kemi në agjendën legjislative, do ta marrim aprovimin e shpejtë. Gjatë javës që po hyjmë do të jetë gjithçka gati, udhëzimi do të jetë i gatshëm për nënshkrim. Pas kësaj 7 ditë ne do t’i përdorim për promovimin e tij dhe pas 7 ditëve do të jetë në fuqi ligji dhe besoj se do gjejë zbatim edhe nga komunat, edhe nga ministria edhe nga të gjithë”, tha ai.

Ndërsa për krijimin e Policia Mjedisore, Matoshi tha se deri në fund të këtij viti do të jetë pjesë e Policisë së Kosovës.

Ai përmendi edhe takimin që kishte me ministrin e Punëve, të Brendshme, Bejtush Gashin për këtë çështje.

Matoshi: Policia Mjedisore që nga viti i ardhshëm 

“Në këtë takim ne e kemi marrë aprovimin e ministrit Gashi që në kuadër të Policisë së Kosovës të ketë njësi të Policisë Mjedisore, dhe për këtë qëllim me kemi formuluar grupet, psh në Ministrinë e Mjedisit është një grup prej 7 personave që punon, njëkohësisht edhe Ministria e Punëve të Brendshme themeloi grupin e saj, dhe tani më të dyja grupet do të punojnë bashkërisht për me i gjetë modalitetet për me i përshtatë detyrat, anën legjislative dhe të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që deri në përfundim të këtij viti ne ta kemi Policinë Mjedisore”, tha ai.

Ndryshe, kundër ndryshimit të ligjit për automjete kishte dal edhe ish-ministrja e mjedisit, tani këshilltare e kryeministrit Haradinaj, Albena Reshitja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat