Krerët e arsimit duan që vetëdijën për ambient të pastër ta bëjnë pjesë të kulturës te brezat e rinj

Kosova

Krerët e arsimit duan që vetëdijën për ambient të pastër ta bëjnë pjesë të kulturës te brezat e rinj

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 12:50
Ministri Bytyqi ka thënë se kjo ditë është e rëndësishme për ambientin e Kosovës

Në kuadër të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, së bashku me drejtorin e arsimit të komunës së Prishtinës, Jonuz Salihaj, ka vizituar shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.

Ministri Bytyqi ka thënë se kjo ditë është e rëndësishme për ambientin e Kosovës dhe tregoi se MAShT ka marrë vendim që gjatë tre muajve sa do të zgjasë ky aksion, t’i angazhojnë shkollat për mirëmbajtjen e ambientit të tyre.

Ai po ashtu tha se po kërkojnë nga mësimdhënësit që të mbajnë orë shtesë për rëndësinë e ambientit.

 

Bytyqi: Mësimdhënësit do të mbajnë orë shtesë për rëndësinë e ambientit

“Përveç që sot është marrë ky aksion i përgjithshëm nëpër shkolla ne do të kërkojmë, do të jemi në kontakt edhe me DKA-të, që gjatë kësaj periudhe tre mujore përveç mbajtjes së pastërt të ambientit nëpër shkolla, mësimdhënësit të kenë diskutime dhe orë më shumë për ruajtjen e ambientit, pastërtinë, rëndësinë e ambientit të pastër, në  mënyrë që të ngritet një vetëdijesim te të rinjtë tanë”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa drejtori i arsimit në komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, tregoi se gjatë vizitës e kanë gjetur shkollën të pastër dhe tha se për ta është e rëndësishme që pastrimin e ambientit ta bëjnë pjesë të kulturës dhe shprehive të të rinjve.

Salihaj: Pastrimin e ambientit duhet ta bëjmë pjesë të kulturës së fëmijëve

“Po ajo çka është me rëndësi për neve, meqë edhe ministri është këtu, që ta bëjmë si kulturë të sjelljes së fëmijëve qoftë me programe të posaçme qoftë si pjesë e kurrikulave shkollore, në mënyrë që me të vërtetë ta kultivojmë një ambient që i ka hije Kosovës sepse jemi vend që po e presim anëtarësimin në BE dhe liberalizmin e vizave”, ka thënë Salihaj.

Kurse drejtoresha e kësaj shkolle, Gjyle Bala, tha se ky aktivitet i sotëm ishte jashtë kurrikular për t’i vetëdijesuar të rinjtë për rëndësinë e ambientit. Ajo ka treguar se në këtë shkollë dy herë në vit organizojnë aksione për pastrimin e shkollës dhe ka thënë se po shpreson që kjo praktikë të shpeshtohet.

Gjyle Bala: Shpresoj që t’i shpeshtojmë aktivitetet e tilla

“Ishte një aktivitet i këndshëm sot me fëmijët, me nxënësit në përgjithësi,  një aktivitet jashtë kurrikular do të thoja. Thjesht, një ambient i shëndoshë – mendja e shëndoshë, dhe ngritja e vetëdijes te nxënësit. Shpresojmë që ta ruajmë këtë dhe ta praktikojmë edhe më shpesh, ngase edhe në planet tona të punës praktikojmë që dy herë në vit të pastrohet ambienti shkollor”, ka thënë Bala.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit të Ambientit, ministri Bytyqi me zyrtarët e MAShT, e kanë nisur aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” në ambientet e kësaj ministrie, dhe më pas kanë vazhduar te shkolla “Faik Konica”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat