Kosova-Gjermania me marrëveshje që rregullon bashkëpunimin teknik

Kosova

Kosova-Gjermania me marrëveshje që rregullon bashkëpunimin teknik

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 14:34
Ministri i Financave, Bedri Hamza këtë marrëveshje e ka quajtur si më të rëndësishmen

Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Gjermanisë përfaqësuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë, e cila rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të dy qeverive.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ndonëse kanë nënshkruar shumë marrëveshje me shtetin gjerman, këtë marrëveshje e ka quajtur si më të rëndësishmen.

"Kjo është marrëveshja më e rëndësishme, pasi që përmes saj krijohet baza e marrëveshjes për të gjitha aspektet teknike dhe financiare. Deri më tash shteti gjerman është njëri ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, investimet janë mbi 600 milionë euro. Këto janë investuar në sektorin e energjisë, ujit të pijshëm, shëndetësisë", tha ai.

Edhe ambasadori gjerman Christian Heldt, e ka quajtur shumë të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje.

"Për dy institucionet tona kjo marrëveshje është kryesore që do të mundësojë bashkëpunimin tonë dhe është tregues se sa larg e kemi dërguar bashkëpunimin tonë. Negociatat për këtë marrëveshje janë zhvilluar tash e 7 vite. Për ne institucionet gjermane është shumë e rëndësishme të kemi seriozitet në bashkëpunim dhe këtu kemi gjetur seriozitet me ju. Ne do të mund ta quajmë këtë marrëveshje që ne bëjmë punë dhe flasim pak", tha ai.

Ndryshe, shteti gjerman është njëri prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat