Fjala dhuron pelena për liderët politik

Kosova

Fjala dhuron pelena për liderët politik

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 12:25
Aksioni i partisë Fjala

(E plotësuar) - Partia “Fjala” ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë, gjatë të cilit kanë vendosur pako me pelena, dedikuar liderëve politik.

Përmes këtij aksioni, ata kanë njoftuar që po e shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me vizitën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Kosovë dhe reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj kësaj vizite.

Xhevdet Maloku, kryetar i degës së partisë “Fjala” në Podujevë, ka thënë se kjo parti është shprehur e shqetësuar nga veprimet e institucioneve të Kosovës lidhur me vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Maloku tha se ata e dënojnë ashpër fjalorin e Vuçiqit dhe tregoi se këto pelena iu dedikohen liderëve politik, që sipas tij, janë treguar të frikësuar ndaj kësaj vizite.

Maloku: Liderët politik janë treguar të frikësuar përballë vizitës së Vuqiçit

“Ne, Partia ‘Fjala’ kemi shprehur shqetësimin tonë në lidhje me frikën e treguar nga liderët politikë në lidhje me ardhjen e Vuçiqit, ardhjen e tij në Kosovë. Domethënë, të kapluar nga frika dhe servilizimi pushtetar, liderët politikë heshtën përballë kësaj vizite dhe ne kemi shprehur shqetësimin dhe kemi dalë sot me një aksion simbolik”, tha Maloku.

Kurse Avni Çakmaku, anëtar i Kryesisë së kësaj partie, tha se Brukseli nuk po e konsideron Kosovën shtet funksional dhe nuk duhet që ta plotësojë çdo kërkesë të Serbisë. Deklaratat e Vuçiqit ai i quajti skandaloze.

Sa i përket aksionit të sotëm Çakmaku tha se e kanë parë të arsyeshme një gjë të tillë, sepse sipas tij, institucionet e Kosovës janë treguar të pafuqishme kundrejt vizitës së presidentit serb.

Çakmaku: Institucionet tona u treguan të pafuqishme

“Me gjithë ato prononcime skandaloze që janë cenim i drejtpërdrejtë edhe i shtetësisë edhe i sovranitetit territorial, atij iu lejua një vizitë, e cila me asnjë parametër të një shtetësie nuk është dashtë të lejohet që të zhvillohet. Prandaj ne, me të vërtetë e kemi parë të arsyeshme që këto pelena t’ia dhurojmë institucioneve tona, për shkak se të tregohet aq i pafuqishëm çdo institucion, po jo vetëm institucionm po edhe partitë politike të cilat sot e përfaqësojnë Kosovën, kjo me të vërtetë nuk do koment”, ka thënë Çakmaku. 

***

Partia FJALA ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të titulluar "Pampersa për liderët politik", dhe gjatë këtij aksioni kanë vendosur pako me pelena para ndërtesës së Qeverisë.

Xhevdet Maloku, kryetar i Degës së Partisë "Fjala" në Podujevë, tha përmes këtij aksioni, ata kanë dashur ta tregojnë frikën përballë vizitës së Vuçiqit në Kosovë.

Ai tha se u kanë sjellë këto pelena institucioneve, që, sipës tij, herën tjetër të jenë më të përgatitur.

Kurse Avni Çakmaku, anëtar i kryesisë së partisë  tha  se vizita e Vuçiqit tregoi se kush e ka pushtetin në Kosovë.

Ai tha se e kanë parë të arsyeshme që t'i dhurojnë institucioneve këto pelena, sepse sipas tij, janë treguar të pafuqishëm. Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos lejojnë që qytetaria ta marrë situatën në dorë, por tha se vetë institucionet duhet ta drejtojnë Kosovën. Ai tha se kjo parti është kundër vizitës së Vuqicit në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat