Të pagjeturit, kërkohet rritja e presionit ndaj Serbisë

Kosova

Të pagjeturit, kërkohet rritja e presionit ndaj Serbisë

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 16:23
Të pagjeturit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, iu është drejtuar me një letër homologëve të tij nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nga të cilët ka kërkuar angazhim konkret në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Në letrën e tij, ministri Tahiri  ka shprehur shqetësimin institucional dhe shoqëror për stagnimin e plotë të zbardhjes së fatit të të zhdukurve nga lufta në Kosovë.

“Si Ministër i Drejtësisë, e kam vendosur si prioritetet trajtimin e kësaj çështje gjatë mandatit tim dhe jam plotësisht i gatshëm për të ofruar mbështetjen e nevojshme institucionale që secili rast i të pagjeturve, pavarësisht përkatësisë etnike të gjejë zgjidhje të shpejtë. Për këtë, jemi duke punuar ngushtë edhe me Misionin Evropian të Sundimit të Ligjit që është duke ndihmuar kapacitetet tona të mjekësisë ligjore. 

Megjithatë, adresa reale e kësaj çështje është e ditur botërisht. Republika e Serbisë duhet të hapë arkivat e saj dhe të ofrojë informata për secilin rast, në mënyrë që identifikimi dhe gjurmimi i lokacioneve ku mund të jenë eshtrat e viktimave të luftës së fundit, të bëhet sa më shpejt, dhe që ky kapitull i rëndë i historisë sonë të përmbyllet”, shkruan ministri Tahiri.

Ai ka theksuar se kjo çështje kërkon zgjidhje përtej politike, meqenëse prek humanizmin dhe ndërgjegjen kolektive të popujve ndaj njëri-tjetrit, andaj ka kërkuar që kjo temë të ngritët në çdo takim që Ministrat e BE-së kanë me përfaqësuesit e Republikës së Serbisë.                                                                                                        

“Me konsideratën më të lartë dhe duke ju ftuar për një reflektim mbi bazat e humanizmit dhe parimeve më të shëndosha mbi të cilat është ngritur civilizimi evropian, kërkoj që këtë temë ta keni në agjendë të bisedimeve me përfaqësuesit dhe diplomatët e Republikës së Serbisë në çdo rrethanë dhe në çdo rast që ju jepet.  Vetëm duke zbardhur fatin e të pagjeturve, do të mund të rehabilitohen familjet tona dhe shoqëria jonë në përgjithësi. Unë besoj në vlerat e qytetërimit evropian dhe besoj tek mandati juaj, si institucionalistë të zgjedhur për të shërbyer konform këtyre vlerave”, shkruan në letrën e tij ministri Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat