Vdekja e Mujë Shalës humbje e madhe për shëndetësinë e Kosovës - Bota Sot
Vdekja e Mujë Shalës humbje e madhe për shëndetësinë e Kosovës

Kosova

E enjte, 20 shtator 2018

Vdekja e Mujë Shalës humbje e madhe për shëndetësinë e Kosovës

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 14:39
Mbledhja komemorative që u organizua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Vdekje e profesorit dhe mjekut Mujë Shala është humbje e madhe për arsimin dhe shëndetësinë në Kosovë.

Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative që u organizua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Mujë Shala ka vdekur dje ndërsa varrimi i tij do të bëhët sot në orën 17:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Për rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema vdekja e profesorit Shala është boshllëk i madh për të gjithë,  por në veçanti për pacientët e vegjël.

Dema: Mirësjellja dhe afërsia e tij do të na mungojë 

“Profesor Shala ishte njeri me dije dhe kulturë të jashtëzakonshme, njeri që dinte të komunikonte me gjuhën dhe logjikën e mirësjelljes, i afërt me studentët dhe kolegët e tij, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tonë. Padyshim vdekja e tij është një humbje, e cila lë një boshllëk jo lehtë të zëvendësueshëm për familjen, studentë, kolegët e miqtë e tij, e veçanërisht për pacientët e vegjël të cilët i mjekoi me përkushtim gjatë gjithë karrierës së tij, Puna intelektuale dhe vepra e tij do të mbeten kujtimi më i mirë”, tha Dema.

Për ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi, vdekja e profesor Shalës është humbje e madhe për arsimin dhe shëndetëson pasi që ishte themelues i Klinikës së Neonatologjisë në Kosovë.

 Bytyqi tha se  Shala  i ka botuar mbi 100 punime shkencore në revistat e vendit dhe ndërkombëtare.

Sipas tij Mujë Shala ka dhënë  kontributin e tij edhe në luftë, në spitalin ushtarak të Zonës Operative të Drenicës.

Bytyqi: Profesori ka botuar librin universitar të Pediatrisë dhe Neonatologjisë?

“Të gjithë ne që e kemi pasur fatin e mirë që ta njohim profesor Mujën jemi të bekuar dhe ndihemi krenar që kemi njohur një njeri të mirë, profesionist të shkëlqyer, doktor të përmasave globale të specializuar e doktoruar në Universitetin e Zagrebit në një kohë të zymtë për kombin tonë, kur profesor Muja tregoi lartësinë e tij intelektuale, shqiptare në përmasa ndërkombëtare. Profesor Shala ka qenë profesor i rregullt i Universitetit të Prishtinës në fakultetin e mjekësisë, katedrën e pediatrisë ka botuar 10 libra profesionale dhe universitare dhe ndër to librin universitar të Pediatrisë dhe atë të Neonatologjisë”, tha Bytyqi.

Ndërsa ministri i Shëndetësi Uran Ismajli tha se përpos që e ka humbur një mjek të mirë, ai personalisht e ka humbur edhe një fqinj të mirë.

Ai tha se Muja nuk ishte vetëm pediatër i mirë por njeri që donte ta shihte Kosovën sa më mirë që është e mundur.

Ismajli: Kur vdekshmëria e të porsalindurve ishte vrimë e zezë për Kosovën ai themeloi Klinikën Neonatologjike

“Në një vend si Kosova, kur vdekshmëria e të posa lindurve ka qenë një vrimë e zezë për një kohë të gjatë, dedikimet dhe vendosmëria e prof. Mujës të mos qëndrojë duarkryq para një problemi por ta krijojë zgjidhjen duke themeluar Klinikën Neonatologjike, dhe duke iu mundësuar mijëra familjeve që të qarat të jenë të qara fëmijësh e jo vajtime familjesh. Kjo tregon për karakterin e  një njeriu të madh, i cili në kohë krize nuk e pranonte ‘statut –quon’  por besonte se Kosova mund dhe duhet të bëj të pamundurën për të ofruar shërbim mjekësor  kualitativ për të porsalindurit”, tha ministri Ismajli.

Në emër të familjes  ka folur i biri i profesor Shalës, Endrit Shala.

Në mes të emocioneve dhe lotëve Shala tha se e ka të vështirë të flas në një ambient ku ka punuar me vite të tëra babai i tij, megjithatë ka një falënderim për mjekët e QKU-së që janë përkujdesur për babain e tij.

Shala: Falënderoj të gjithë në emër të familjes

“Është e vështirë pak për mua me fol sidomos në ambientin ku babi im ka punu për një kohë të gjatë. Por në emër të familjes, në emër  të gjithë farefisit tonë iu falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen e juaj këtu. Njëkohësisht e  falënderoj gjithë stafin e QKU-së , sidomos Klinikës Emergjente dhe Klinikës Intensive që ditët e fundit dhanë gjithçka që me majtë babain në jetë”, tha Shala.

Fjalë të mëdha për profesor Shalën kanë folur edhe kolegët e tij nga Fakulteti i Mjekësisë ndërkohë që në mbledhje komemorative kanë marr pjesë edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, Dardan Gashi, Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën dhe figura tjera të jetës politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test