Nevojiten politika të përbashkëta për promovimin e agro-turizmit

Kosova

Nevojiten politika të përbashkëta për promovimin e agro-turizmit

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 18:23
Hasani dhe Klosi

Bashkëpunimi ndërmjet dy vendesh në fushën e turizmit dhe mënyrat e një organizimi më të mirë në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ishte tema e diskutimit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani dhe ministrit shqiptar të Turizmit Blendi Klosi, sot në Prizren.

Ministri Bajrami pas takimit tha se pritet që në fillim të vjeshtës në Brezovicë, apo Rugovë të bëhet hapja e sezonit turistik, për tërheqjen e sa më të madhe të turistëve nga vendi dhe rajoni.

Bajrami: Jemi për bashkëpunim sidomos me shtetin shqiptar

“Biseduam për bashkëpunimin në mes dy vendeve në turizëm, se si të organizojmë dhe të bashkëpunojmë në të ardhmen për të organizuar edhe më mirë në fushën e turizmit. Shqipëria ka ecë mjaft mirë në strategjinë e saj për zhvillimin e turizmit. Edhe ne i kemi dhënë prioritet të madh turizmit... Ne jemi për bashkëpunim sidomos me shtetin shqiptar, sepse ka mundësi për fushën e bashkëpunimit edhe sa i përket turizmit. Biseduam që në fillim të sezonit së vjeshtës në Brezovicë, apo Rugovë të bëjmë hapjen e sezonit turistik dhe t’i japim një mesazh dhe t’i ftojmë të gjithë turistët të na vizitojnë dhe se ka shumë vend për të na vizituar edhe turistët nga shteti shqiptar”, tha ministri Hasani.

Ai tha se në takim është biseduar edhe disa shqetësime për rritjen e çmimeve dhe sigurinë në bregdetin shqiptar, ndërsa falënderoi ministrin Klosi për gatishmërinë në hartimin e infrastrukturës ligjore.

Ministri i Turizmit të Shqipërisë Blendi Klosi tha se sivjet ka një rritje të numrit të turistëve kosovarë në Shqipëri krahasuar me vitin e kaluar.

Klosi: Ka rritje të hyrjes së shqiptareve nga Kosova në Shqipëri

“Ne kuptuam se kemi shumë më shumë për të bërë për të ofruar më tepër në turizmin në Shqipëri, por situata është shumë mirë. Kemi një besnikëri të shkëlqyer të familjarëve për të vizituar bregdetin shqiptar dhe ata me këtë besnikëri kanë përzgjedhur sivjet bregdetin shqiptar. Në Shqipëri 600 mijë familjarësh kosovarë që kanë hyrë nga 1 janari deri më 1 korrik sikurse vitin e kaluar, pavarësisht kushteve atmosferike që kanë qenë shumë të këqija... Në Shqipëri ka një shtim prej 17 për qind nga viti i kaluar. Korriku i këtij viti ka shënuar 390 mijë vizitorë të hyrë krahasuar me vitin e kaluar që ka qenë një numër 330 mijë, ose 7-8 për qind më shumë”, tha ai.

Për më tepër ai ka thënë se ka ende probleme në fushën e turizmit në Shqipëri dhe se nevojiten politika të përbashkët për promovimin e agro-turizmit, fshatrave turistike dhe shtimin e kapaciteteve turistike.

Klosi: Të bëjmë një program të përbashkët

“Ajo që na del si detyrë të kemi mundësi të bëjmë një program të përbashkët që politikat politike të ndjekin me korrektesë atë që shoqëria e ka realizuar. Andaj një grup i përbashkët i punës që drejtohet nga Çeku dhe drejtori i kabinetit do të kenë mundësi që deri në dhjetor të përgatisin një agjendë të përbashkët që t’ia paraqesin operatorëve turistikë në një takim të përbashkët që për gjithë rajonin e Ballkanit  të kemi oferta të përbashkëta”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat