Lumezi dhe krerët e drejtësisë dhe Policisë, për rastin në Gjakovë do të kërkohet llogaridhënie

Kosova

Lumezi dhe krerët e drejtësisë dhe Policisë, për rastin në Gjakovë do të kërkohet llogaridhënie

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 16:30
Lumezi dhe krerët e drejtësisë dhe Policisë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrin e Punëve të Brendshme Bejtush Gashi dhe drejtorin e Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj, për të diskutuar rreth ngjarjes tragjike, e cila ka ndodhur para dy ditësh në Gjakovë, ku janë privuar nga jeta një nënë dhe vajza e saj.

“Krerët e institucioneve të rendit dhe ligjit, kanë shprehur shqetësimet e tyre të thella për ngjarjen dhe janë zotuar për të bërë një hetim të plotë për rrjedhën e trajtimit të këtij rasti nga organet e rendit”, thuhet në një komunikatë për media.

Gjatë takimit, palët shprehën gatishmërinë e plotë që në rast të evidentimit të neglizhencës eventuale nga secili person zyrtar i ngarkuar për të parandaluar rrethanat e kësaj ngjarjeje, do të kërkohet llogaridhënie dhe personat zyrtar përgjegjës do të dalin para përgjegjësisë.    

Institucionet e rendit dhe ligjit, vlerësojnë se ky akt tragjik është momenti i fundit i reflektimit për një trajtim shumë serioz të politikës shtetërore, e cila është në funksion të mbrojtjes dhe sigurisë së jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovë nga çdo cenim i mundshëm.

Krerët e institucioneve të rendit dhe ligjit inkurajojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe institucionet, të cilat kanë përgjegjësi në këtë fushë për të bashkëpunuar ngushtësisht në parandalimin efikas të çdo cenimi të jetës që mund t’iu kanoset qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Lumezi ka thënë se zbatimi i ligjit dhe përkujdesja nga ana e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit do të japin shërbime më efikase, me ç’rast duhet qartësuar se edhe gjykatat brenda periudhave të arsyeshme kohore t’i gjykojnë kryesit e veprave të dhunës në familje, me qëllim të parandalimit të ndonjë krimi të përmasave të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat