Rritja e temperaturave, rrit edhe rastet në Emergjencë

Kosova

Rritja e temperaturave, rrit edhe rastet në Emergjencë

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 10:50
Ilustrim

Pas ditëve me reshje shiu, në Kosovë është kthyer moti i nxehtë. Temperaturat maksimale këto ditë pritet të arrijnë deri në 34 gradë, siç parashikojnë meteorologët.

Gjatë kësaj jave pritet të mbaj mot i nxehtë me temperatura të larta, e që është një ndryshim mjaft i madh me javët që po lëmë pas, kur vendi u përball me vranësira dhe reshje të vazhdueshme shiu.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës   e mërkura dhe e enjtja pritet të shënojnë vlerat më të larta të temperaturave.

Për shkak të këtyre temperaturave në Klinikën Emergjente veç kanë filluar të shtohet numri i personave që kërkojnë shërbime mjekësore.

 Mjekët këshillojnë, që, sidomos të moshuarit, personat me probleme shëndetësore dhe shtatzënat, mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit gjatë mesditës.

Drejtori i Klinikës Emergjente Basri Lenjani tregon se kryesisht janë personat e moshuar që kërkojnë ndihmë.

Lenjani: Shtohen rastet në emergjencë, shkak temperaturat e larta

“Në këto dy ditë e fundit shtohet numri enorm të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore, kryekëput për shkak të ndikimit të temperaturave të larta që kanë shënuar rritje nga 18 deri në 33, që është jo një komoditet për një adaptim të mjaftueshëm si për personat që kanë gjendje të mirë shëndetësore, e po ashtu edhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Rastet të cilat më së shpeshti kërkojnë shërbime emergjente mjekësore janë të sëmuret që vuajnë nga sëmundjet neurologjike, goditjet në tru, goditje në zemër, të sëmurët me hipertension kronik, me hipertension jo aq mirë të menaxhuar, personat që vuajnë nga shtypja e ulët e gjakut”, thotë ai.

Lenjani këshillon që nga ora 11:00 deri në 17:00, fare mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit, sidomos personat me probleme shëndetësore, meqë gjendja e tyre mund të përkeqësohet.

Megjithatë sipas  meteorologut Mendim Rugova temperaturat që pritet ta kaplojnë vendin, nuk konsiderohen të jashtëzakonshme.

Rugova: Në ditët në vazhdim rritje të temperaturave

“Prej kësaj jave, fushat e presionit të lartë dhe vala e të nxehtit që e ka kapluar Evropën Perëndimore ku gradualisht po shtrohen edhe mbi rajonin tonë, këto ditë do të mbaj mot më stabil, kryesisht me diell dhe temperaturat do të shënojnë rritje, mirëpo nuk do të jetë të jashtëzakonshme siç i patëm në Evropë. Këto ditë tek ne temperaturat do të sillen 31 deri 32 gradë celcius, ndoshta në Dukagjin mundet me shku pak më shumë, 35 apo 34, por që janë kryesisht vlera mesatare për këtë periudhe”, thotë ai.

Mjekët këshillojnë që në ditët e nxehta të përdoren sa më shumë lëngje, sidomos një ose 2 litra në ditë dhe duhet konsumuar ushqime me karbohidrate dhe vitamina dhe sa më pak ushqime që përmbajnë yndyrë.

Për të përballuar më lehtë të nxehtit, rekomandohen veshje me ngjyra të hapura, meqë e mbyllta akumulon të nxehtit.

Lenjani: Pleqtë dhe shtatzënat mos t’i ekspozohen diellit në mesditë

”Tek pleqtë që janë me sëmundje të rënda kronike, fare mos t’i ekspozohen rrezeve të diellit sepse mund të riakutizojnë gjendjen e tyre shëndetësorë, përdorimi i barnave dhe ushqimit sipas lejet të mjekut, mund të ndikojë në ikjen e ndërlikimeve serioze. Po ashtu duhet të qëndrojnë në ambiente të freskëta ku temperatura duhet të jetë 19 deri në 21. Përdorimi i kondicionerëve është i lejueshëm. Sa ju përket nënave shtatzënë nga periudha 11 deri në 17:00 nuk duhet fare t’i ekspozohen rrezeve të diellit për shkak se mund të komprometojnë gjendjen e tyre shëndetësore, është e rëndësishme të përdorin sasi të mjaftueshme të ushqimit, të lëngjeve”, thotë Lenjani.

E sipas meteorologut Rugova, i nxehti që pritet të arrijë në Kosovë, nuk pritet të shkaktojë probleme me ujëra ose me zjarre.

Rugova: Për shkak të reshjeve të fundit, nuk pritet që i nxehti të shkaktojë probleme me ujin

“Ka pas të reshura goxha mirë këta muajt e fundit, kështu që njëherë për njëherë nuk mund të ketë probleme sa i përket ujërave, edhe sa i përket indeksit të zjarrit nuk mund të ketë probleme me zjarrin, ka vegjetacion goxha të mirë, por natyrisht që duhet të përcjelljen në vazhdimësi paralajmërime të ndryshme prej agresioneve apo prej ministrive”, thotë ai.

Në situata të tilla,  rekomandohet të ndiqen këshillat mjekësore, meqë vetëm në këtë mënyrë ndërlikimet shëndetësore do të jenë më të vogla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat