Nga nesër punëtorët e KEDS-it futen në grevë

Kosova

Nga nesër punëtorët e KEDS-it futen në grevë

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 12:51
Federata e Sindikatave të Pavarura "ElektroKosova"

Federata e Sindikatave të Pavarura "ElektroKosova", sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se menaxhmenti i KEDS-it nuk po e zbaton marrëveshjen kolektive dhe nuk ka përmbushur kërkesën e kësaj sindikate për rritje të pagave nga 150 euro.

Hysni Gashi, kryetar i Federatës Sindikale të Pavarur “ElektroKosova”, tha se do të organizojnë greva nga nesër nëpër distrikte, dhe sipas tij, nëse nuk përmbushen kërkesat, do të mbahen forma të protestës së përgjithshme nga shtatori i këtij viti.

Ai tha se kërkon nga menaxhmenti i KEDS-it dhe ZRRE-s që të punojnë ngushtë njëra me tjetrën, të gjejnë zgjidhjen dhe mënyrën e duhur që të zbatohet marrëveshja kolektive duke paguar përvojën e punës prej 0.5 për qind për vit dhe ngritja e pagave të bëhet konform rritjes së kostos.

“Kanë mbetur pa punë rreth 300 punëtorë. Momentalisht kemi probleme për mos zbatim të kontratës kolektive dhe mos realizim të kërkesës sonë për rritje të pagave. Ne kemi vendosur si Kryesi dhe apelojmë nga ZRRE që të ketë parasysh KEDS dhe KESCO për çështjen e punëtorëve. Nëse nuk arrihet marrëveshjet dhe nuk përmbushen kërkesat planifikojmë që në shtator të përgatitemi për një grevë të përgjithshme në nivel vendi nëpër distrikte”, theksoi Gashi.

Ndërsa, në Mitrovicë punëtorët e KEDS-it planifikojnë të mbajnë grevë nesër në distriktin e tyre.

Abdullah Veseli, nënkryetar i Sindikatës dhe kryetar i shoqatës në Mitrovicë, tha se protesta do të mbahet nga ora 8.30 deri 9.30. Ndërsa, Ahmet Hyseni kryetar i shoqatës distrikti në Prishtinë, tha se sindikata e regjionit të Prishtinës, paralajmëron grevë në vendet e punës prej ditës së enjte ose më 2 gusht në Prishtinë, Podujevë, Obiliq, Fushë Kosovë dhe Drenas.

Fehmi Pajaziti, nënkryetar i Federatës, tha se ish-punëtorët e KEK-ut, tash punëtorë të KEDS-it, nuk kanë pasur rritje të pagave që prej vitit 2008, andaj me mirëkuptim kërkon zbatimin e kërkesave të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat