Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi në fushën e riintegrimit ekonomik të personave të riatdhesuar në tregun e punës.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punës Skender Reçica, ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Ulrika Richardson.
Me anë të kësaj marrëveshje do të mbështeten personat e riatdhesuar duke iu ofruar mundësi në trajnim, punësim dhe krijim të bizneseve të reja dhe ofrimit të shërbimeve të konsulencës, në kuadër të Programit Aktiv për Tregun e Punës në Kosovë.
Kësaj marrëveshje i ka paraprirë marrëveshja ndërministrore e nënshkruar në muajin maj të këtij viti në mes të MPMS-së dhe MPB-së, rreth transferimit të kompetencave në fushën e riintegrimit ekonomik nga MPB në MPMS.
Ky projekt do të realizohet nga MPMS në bashkëpunim me UNDP-në gjatë periudhës 2019-2021 dhe në bazë të marrëveshjes, pritet të përfitojnë më shumë se 1 250 persona të riatdhesuar duke ju ofruar mundësi të trajnimit, punësimit dhe krijimi të bizneseve të reja.