A kontrollohet cilësia e naftës në Kosovë?

Kosova

A kontrollohet cilësia e naftës në Kosovë?

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Dogana e Kosovës nuk ka laborator të kompletuar për kontrollin e cilësisë së naftës. Ajo arrin vetëm analizimin e disa parametrave të një mostre të naftës dhe derivateve të saj.

Për këtë arsye, vitin e kaluar Dogana ka nënshkruar një kontratë me dy laboratorë privatë për analizimin e parametrave të tjerë. Por, kjo kontratë nuk po përmbushet.

Para dy vjetësh Ministria e Tregtisë ia barti kompetencat për kontroll të cilësisë së derivateve Doganës së Kosovës, pasi të njëjtën punë nuk arrinin ta kryenin trupat inspektuese.

Mirëpo, edhe ky vendim nuk po jep shumë rezultate, meqë laboratori i Doganës që është i akredituar nga Ministria e Tregtisë, kryen analizimin e vetëm tre parametrave të naftës e dy të benzinës.

Ndërsa, sipas Udhëzimit Administrativ për “Cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”, thuhet se për analizim të cilësisë nevojiten rezultatet e 19 parametrave.
Për këtë arsye, në vitin 2017, kishin nënshkruar një kontratë me dy laboratorët e vetëm të akredituar, të cilët do t’i analizonin parametrat e tjerë.

Por, drejtorët e tyre tregojnë se kontrata nuk është duke u përmbushur.
Sipas tyre, rezultatet e një mostre nuk mund të dihen pa analizimin e të gjithë parametrave,.

Por, ndryshe deklarojnë në Doganën e Kosovës.

Zëdhënësi Adriatik Stavileci thotë se kontrolli i cilësisë aplikohet në 7 për qind të importit.

Kjo çështje është përmendur edhe në Raportin e fundit të Progresit, në pjesën e mjedisit.

Komisioni kërkon përpjekje për rritjen e standardeve të cilësisë së karburanteve.
Sasia e naftës së importuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka shënuar rritje për 7 për qind, ndërsa ulje ka shënuar sasia e benzinës së importuar për 4 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat