Italia investon 3 milionë euro në shëndetësinë e Kosovës

Kosova

Italia investon 3 milionë euro në shëndetësinë e Kosovës

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 17:18
Grupi i spitaleve italiane, i përfaqësuar nga spitali pediatrik “Meyer”, nga Firence, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dy vjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë

Grupi i spitaleve italiane, i përfaqësuar nga spitali pediatrik “Meyer”, nga Firence, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dy vjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë për forcimin e aftësive profesionale të personelit shëndetësor të repartit të Kardiokirurgjisë në QKUK.

Marrëveshja është pjesë e projektit 3 milionësh "Mbështetje për sistemin shëndetësor në Kosovë", i financuar nga Qeveria italiane nëpërmjet Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, duke e konsideruar si shumë të rëndësishme këtë marrëveshje, u shpreh se sistemi shëndetësore në Kosovë ka nevojë për shumë investime, ndryshime dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Sipas tij, përmes kësaj marrëveshje mjekët e Kosovës, do të kenë mundësi të marrin shkathtësi dhe përvoja të reja nga qendrat më të njohura shëndetësore.

Ismajli: Ky projekt sjellë dituri te mjekët tanë

“Ky projekt është projekt i rëndësishëm për arsye se sjellë diturinë nga qendra të rëndësishme te mjekët tanë duke u mundësuar që të shkëmbejnë përvoja dhe duke u mundësuar që të ngrisin shkathtësitë e tyre nëpërmjet punës praktike dhe në këtë mënyrë të arrijnë deri tek shërbime të reja, ose ndoshta shërbime të kualitetit më të lartë se sa ajo që e kemi. Po ashtu, konsideroj se ky bashkëpunim i cili ka filluar shumë më herët, por i cili tani po merr një formë më kuptim plote, është duke u formësuar më shumë me dinamizëm më të madh, pasi mbështet edhe pjesën e investimeve kapitale me pajisje”, ka deklaruar Ismajli.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristofor Sardi u shpreh se objektivi i këtij projekti 3 milionë eurosh  është  forcimi i shërbimeve të kardiokirurgjisë pranë QKUK-së.

Sardi: Ky projekt synon forcimin e kapaciteteve të kardiokirurgjisë

“Është një projekt që kap vlerën prej 3 milionë euro për të mbështetur institucionet e shëndetësisë në Kosovë që të forcojnë dhe përmirësojnë shërbimet e tyre, për t’i bërë të përgjegjshme ndaj popullatës në Kosovë dhe përmes standardeve që aplikohen në vendet e BE-së. Në këtë kuptim ky projekt është zhvilluar në linjë me prioritet të cilat janë treguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe përmes rishikimit të projektit 2017-2021, dhe në brendësi të këtyre prioriteteve është forcimi i kapaciteteve të repartit të kardiokirurgjisë me një aktivitet të trajnimit të stafit mjekësor dhe tërë këtë e bëjmë në kuadër dhe me qëllim që të mbështesim Kosovën në procesin e integrimit evropian edhe në këtë sektor që është shumë i rëndësishëm dhe që është thelbësor” u shpreh Sardi.

Drejtori i përgjithshëm i Spitalit Pediatrik “Meyer” të Firencës, Alberto Zanobini u shpreh se ky bashkëpunim me shëndetësinë kosovare është jo vetëm afrim mes stafeve mjekësore, por edhe investim në miqësinë e shtetit të Kosovës dhe Italisë.

Zanobini: Ky bashkëpunim është investim edhe në miqësinë në mes dy shteteve

“Sistemet sanitare janë një investim i madh në demokracinë dhe në forcimin e të drejtave të qytetarëve prandaj besoj që përmes këtij bashkëpunimi afrohen edhe më shumë jo vetëm dy stafet tona...Në fund është një investim edhe në miqësinë në mes dy popujve tanë dhe jo vetëm, por ta ndërtojmë shëndetësinë“, u shpreh ai. Ndryshe, Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, nesër do bëjë dorëzimin e aparaturave në vlerë prej 370 mijë euro për Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat