Thaçi: Qytetarët të rikthejnë besimin tek institucionet shtetërore

Kosova

Thaçi: Qytetarët të rikthejnë besimin tek institucionet shtetërore

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 15:33
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi, në vazhdën e vizitave të tij me prodhues vendor, ka qëndruar për vizitë tek kompania “MOEA”, prodhuesi i lëngjeve Frutomania, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për të mbështetur bizneset vendore.

Gjatë vizitës në në fshatin Kravaricë të Gjilanit ku edhe ndodhet kjo kompani, i pari i vendit tha se po mundohet t’iu qëndrojë afër prodhuesve vendor dhe qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të mos humbas besimi në institucionet shtetërore.

Këtu Thaçi takoi pronarët e kompanisë me ç’rast i përgëzoi për punën e tyre, teksa theksoi se kompania “MOEA” është prodhuesi më i fuqishëm në rajon dhe shembulli më i mirë i prodhimtarisë vendore.

Thaçi: Shteti mbështetës për bizneset vendore

“Si president i vendit ndjehem mirë për këtë vizitë, për këtë punë të mrekullueshme që e bëjnë këta punëtorë... Ajo që është me rëndësi është se në këtë adresë janë të lidhur edhe rreth 400 prodhues të pemëve frutore, të kësaj treve dhe më gjerë. Është një storie e suksesit, një storie që shteti duhet t’i qëndrojë afër dhe t’i ofrojë kushte më të mira edhe infrastrukturore, edhe si autoritete komunale, por edhe si institucione të shtetit. Ne do  të jemi afër tyre brenda mundësive, kapaciteteve dhe potencialeve që i kemi si shtet. Mendoj se ky është imazhi më i mirë për Kosovën, për klimën e mirë për biznes, atraktivitetin që e ka shteti ynë i ri por me mundësi të mëdha”, tha ai.

Sa i përket vizitave që po realizon kohëve të fundit, Thaçi deklaroi se kjo është rritje e përgjegjësisë së institucioneve të vendit që njerëzit të shohin zotim dhe zell nga ana e institucioneve drejt vendeve të reja të punës dhe mirëqenies. Teksa tha se nëpërmjet tyre synon të jap një mesazh të qartë.

Thaçi: Njerëzit të rikthejnë besimin në politikë dhe në institucionet e Kosovës

“Mesazhi i këtyre vizitave të mija është që njerëzit në Kosovë të rikthejnë besimin në politikë dhe në institucionet e shtetit të Kosovës. Ne duhet të kemi një partneritet si institucionet e vendit edhe me shoqërinë civile, edhe me ju media, dhe me të gjitha kategoritë e shoqërisë kosovare për të ndërtuar dhe fuqizuar edhe më tepër shtetin tonë”, u shpreh presidenti.

Ndërsa pronari i kompanisë “MOEA”, Armend Malazogu, vlerësoi lart vizitën e presidentit të vendit në këtë kompani, pasi që siç tha ai, vizita të tilla shtyjnë bizneset të ecin përpara.

Malazogu: Institucionet shtetërore shtysë për bizneset

“Vizitat e tilla, të institucioneve shtetërore, posaçërisht kreut te shtetit, na japin neve vullnet për të vazhduar tutje. Na japin entuziazëm që sytë e institucioneve qeveritare do të drejtohen rreth bujqësisë, rreth suportit të të gjithë fermerëve, jo vetëm kompanisë tonë, që të mund të jemi konkurrues jo vetëm në tregun tonë, por edhe ne tregjet e jashtme”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat