Lirohet ish-gjyqtarja Safete Tolaj, dënohet djali i saj Fisniku

Kosova

Lirohet ish-gjyqtarja Safete Tolaj, dënohet djali i saj Fisniku

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 15:21
Djali i Safete Tolaj, Fisnik Tolaj është shpallur fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim efektiv.

Gjykata e Ferizajt ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ish-gjyqtaren Safete Tolaj. Sipas aktgjykimit të kësaj gjykate, Prokuroria nuk ka vërtetuar akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-gjyqtares Tolaj.

Djali i Safete Tolaj, Fisnik Tolaj është shpallur fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim efektiv.

I akuzuari tjetër, zyrtari policor, Granit Shehaj është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që sipas aktgjykimit, prokuroria nuk ka vërtetuar se Granit Shehaj ka ushtruar ndikim duke keqpërdorur detyrën zyrtare si polic.

Gjykata e Ferizajt ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e përhershëm të një banese me vlerë rreth 40 mijë euro, e cila është në emër të Blerina Vishaj, njëherit bashkëshortja e Fisnik Tolaj. Gjykata ka vlerësuar se kjo pronë nuk është e lidhur me veprën penale, ngase vlera e kësaj prone tejkalon vlerën për të cilën akuzohet Fisnik Tolaj.

Ky rast gjyqësor është i shënjestruar si një nga lëndët që janë kush për liberalizimin e vizave.

Sipas aktakuzës, e pandehura Safete Tolaj në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që pasi ajo më 02.01.2017 e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj, e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e dorëzanisë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e së njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj Gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e Gjykatës, raporton kallxo.com.

Tutje, në përshkrimin e aktakuzës thuhet se pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në Gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që i pandehuri Fisnik Tolaj duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme. “Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lart, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat