Reshitaj: Reformat e ndërmarra do të lehtësojnë pajisjen me leje ndërtimi

Kosova

Reshitaj: Reformat e ndërmarra do të lehtësojnë pajisjen me leje ndërtimi

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 18:05
Albena Reshitaj

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor sot ka organizuar prezantimin e pakove informuese për procedurat e lejeve ndërtimore. Në këtë punëtori janë prezantuar të gjitha reformat dhe lehtësirat informuese mbi procedurat për leje ndërtimore dhe të pajisjes me certifikatë për ndërtime të rrezikshmërisë së ulët dhe të mesme.

Ministrja Reshitaj theksoi se kjo pako informuese është e rendësishme, sepse krijon një standardizim dhe unifikim të aplikimit, shqyrtimit dhe menaxhimit të kërkesave për leje nga të gjitha komunat. Me anë të këtij standardizimi synohet lehtësimi dhe përshpejtimi i procedurave për pajisje me leje ndërtimi dhe certifikatë për ndërtime të kategorisë 1 dhe 2. Më tutje, Ministrja Reshitaj shoti se kjo pako informuese ka për qëllim të ndihmojë në reformat dhe politikat proaktive në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, të cilat do të ndihmojnë në përshpejtimin e marrjes së lejeve ndërtimore.

Për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndër problemet kryesore mbeten ndërtimet pa leje.

“Deri më tani janë identifikuar mbi 352.000 ndërtime pa leje. Aktualisht ndodhemi para aprovimit të ligjit të ri për trajnimin e ndërtimeve pa leje, që i lehtëson proceduat e trajtimit të këtyre ndërtimeve dhe e ul koston në masë të konsiderueshme”, deklaroi Ministrja Reshitaj.

Ministrja Reshitaj konstatoi se për trajtimin e objekteve pa leje dhe për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm nga të gjitha institucionet vendimmarrëse.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu tha se komunat e Kosovës kanë qenë të përfshira në hartimin e akteve nënligjore për ndërtimet. Për këtë, ai tha se komunat kanë shënuar progres në shërbimet për përshpejtimin e pajisjeve me leje të ndërtimit.

“Me hartimin e akteve nënligjore do të shkurtohen edhe më shumë procedurat e  lejeve të ndërtimit. Komunat kanë arrit një standard të lartë për transparencë lidhur me pajisjet për leje të ndërtimit. Kjo është arritur falë angazhimit të kryetarëve të komunave, por synimi i tyre është për shtimin e shërbimeve elektronike për lëshimin e lejeve të ndërtimit përmes internetit”, ka thënë Veliu.

Ndërsa Merita Behluli nga USAID ka prezantuar pakon informuese në mënyrë të detajuara para pjesëmarrësve, duke shpresuar që në një të ardhme të afërt edhe institucionet kosovare të lëshojnë leje elektronike, sikurse vendet e rajonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat