Haradinaj kryetarëve: Më në fund jeni zot shtëpie në komunat tuaja

Kosova

Haradinaj kryetarëve: Më në fund jeni zot shtëpie në komunat tuaja

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 13:50
Takimi konsultativ në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komunave

Miratimi i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, është cilësuar dhe nga kryetarët e komunave, si një lajm i mirë.

Në takimin konsultativ në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komunave, kryeministri Ramush Haradinaj tha se tashmë është krijuar një situatë ligjore, ku kryetarët më në fund janë zotë shtëpie në komunat e tyre.

Haradinaj: Më në fund jeni zot shpije në komunat tuaja

“Unë si kryetar qeverie i ri në punë  i kam mësuar se i kemi dy tema të përbashkëta. Njëra ka pas dhe ka të bëjë me pronat. Me mundësitë që komunat me pas në posedim prona me operu për interesin e publikut dhe për interesin e projekteve publike, po ashtu dhe për interesin e zhvillimit ekonomik, zonave ekonomike, zonave industriale. Iu siguroi që nga ai takim deri sot për këtë pikën e pare të rendit të ditës nuk kemi ndejt nuk dojm me thanë sa është bërë se kurrë s’është mjaft dhe duhet me ba shumë më shumë. Por ajo që është e mirë besoj po krijojmë një situatë dhe ligjore, jo vetëm të vendimeve të Qeverisë ku më në fund jeni zot shpije në komunat e juaja. Çka nënkupton ajo që iu vyen do ta keni si pronë, por pastaj dhe operimin në ato prona do ta keni si procedurë të rregullt e të menaxhueshme që ju të mos keni pengesa të karakterit ligjor”, tha ai.

Koordinatori nacional për reforma shtetërore Besnik Tahiri, tha se ky është një lajm i shumëpritur.

Tahiri: Lajm i mirë për komunat e Kosovës

“Ajo që është lajm i mirë për pushtetin lokal për 38 komunat e Kosovës,  e në veçanti për komunat e Kosovës që sot qeveria ka miratuar këtë ligj, i cili është ligji që pas shumë viteve u mundëson komunave dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të  pronës së paluajtshme në komunë. Ka qenë pengesë shumë e madhe për zhvillim ekonomik, për mundësi që ka komuna. Kërkesa ime si koordinator nacional për reforma shtetërore është që ky ligj të kaloi sa më shpejtë në parlament në mënyrë që të zhbllokojmë këtë proces”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se ky ligj është i vonuar, por shumë i qëlluar. 

Ndërsa u bëri apel partive politike, që ta kalojnë këtë ligj në Kuvend.

Jashari: I vonuar por i qëlluar

“Përshëndetem këtë projektligj, që është i vonuar por shumë i qëlluar. Sepse komunat kanë shumë probleme drejtë zhvillimit ekonomik. Po ashtu u bëra apel dhe brenda gjithë kryetarëve të komunave, të bëjë apel të të gjithë partitë politike, që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, që ta kalojnë ligjin ta rregullojnë me ato kërkesat, që kanë dal prej të gjithë kryetarëve të komunave, me ato ndryshimet e vogla, që ai 20 për qindëshi dhe 5 për qindëshi, të mos rendohen komunat me buxhet”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i komunës së Shtimes, Naimi Ismaili tha se është hapur një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik.

Ismaili: Ky ligj ka qenë pengesë, tani ka hapur mundësinë për zhvillim ekonomik

”Unë besoj që ky ligj ka qenë pengesë për zhvillim ekonomik, jo vetëm të komunave sepse zhvillimi ekonomik i vendit ndodh në komuna dhe ne këtë rast mund të themi shumë logjikisht se ky ligj ka qenë pengesë e zhvillimit ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës dhe ky ka hapur mundësinë e zhvillimit ekonomik”, tha ai.

Kryetari i komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, tha se një nga problemet kyçe te komunave, ka qenë mos ekzistenca e pronës së paluajtshme.

Haskuka: Ky është ndër problemet kyçe

“Një nga problemet kyçe të komunave, është mos ekzistenca e pronës së paluajtshme sidomos kur kërkohen investime qoftë nga ministritë e ndryshme, qoftë nga sektori privat dhe organizatat e shoqërisë civile. Unë si kryetar më së shumti po përballem me këtë problem ku faktikisht komunat po janë të zhveshura nga prona e paluajtshme”, tha ai.

Pas takimit të parë, ku u identifikuan sfidat dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohen kryetarët e komunave, ky ishte takimi i dytë konsultativ në mes të nivelit qendror dhe lokal, me qëllim të vazhdimit të përpjekjeve për të fuqizuar edhe më tej komunikimin dhe bashkëpunimin në shërbim të forcimit të rolit të komunave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat