Kosova, shtet pa ditë çlirimi - kërkohet ndryshimi i ligjit

Kosova

Kosova, shtet pa ditë çlirimi - kërkohet ndryshimi i ligjit

Më: 1 korrik 2018 Në ora: 21:47
Ilustrim

Muaji që lamë pas është muaji kur forcat e NATO’s kanë hyrë në Kosovë pas bombardimeve të ushtrisë serbe. 12 qershori që shënohet si datë kur kanë hyrë forcat e NATO’së në Kosovë, në Ligjin për Festat Zyrtare i miratuar në vitin 2008, nuk është festë zyrtare, as nuk njihet si ditë çlirimi. Kjo datë është futur në këtë ligji tek festat e shënuara ose memoriale.

Qershori është muaji kur forcat e NATO’s kanë hyrë në Kosovë pas 78 ditë bombardime nga ajri në caqet serbe. Pas hyrjes së ushtarëve të KFOR’it në Kosovë, forcat serbe kanë lëshuar territorin e Kosovës.

Por edhe pse ka kaluar një dekadë pas shpalljes së pavarësisë dhe 19 vjet pas përfundimit të  luftës, Kosova ende nuk ka ditë zyrtare të çlirimit.

12 qershori që shënohet si datë kur kanë hyrë forcat e NATO-së në Kosovë, në Ligjin për Festat Zyrtare  i miratuar në vitin 2008, nuk është festë zyrtare, as nuk njihet si ditë çlirimi. Kjo datë është futur në këtë ligji tek festat e shënuara ose memoriale.

Madje as emrin nuk e ka Ditë Çlirimi, por si Dita e Paqes..

“Unë e ndaj mendimin që duhet të zvogëlohet gjithsesi ky numër kaq i madh i festave. Ideja që dita e çlirimit, në këtë rast 12 qershori të bëhet festë zyrtare është me vend. Por megjithatë është mirë që përmes ndryshimeve në projektligj të ndodhin këto ndryshime të domosdoshme. Nuk duhet me qenë vetëm festë memoriale. Kjo duhet me qenë festë dhe në ditën e çlirimit që konsiderohet çlirimi i Kosovës duhet edhe të mos punojnë institucionet, por jo vetëm ditë memorialë”, tha Rasim Selmanaj.

Selmanaj thekson se ka pasur kërkesa nga disa komunitete, veçanërisht nga komuniteti serb që ta fusin si festë të tyre zyrtare edhe atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Kurse nga opozita thonë mungesa e ditës së çlirimit është si pasojë e mos njohjes së luftës çlirimtare të UÇK’së.

“Shembull nuk ka festë të çlirimit, nuk është pse këta nuk konsiderojnë se Kosova nuk është e çliruar, por nuk e njohin luftën për çlirim. Sepse po ta njihte luftën për çlirim siç ka qenë dhe siç do duhej, atëherë do të vinte si rrjedhojë edhe dita e çlirimit të Kosovës. Pra, nuk e kanë këta problem ditën e çlirimit, mos përshkrimi i ditës së çlirimit në ligjin për festat zyrtare ka të bëjë me luftën çlirimtare, jo me ditën e çlirimit. Lufta e UÇK-së nuk është trajtuar as përafërsisht, as historikisht, e as në aspektin e dinjitetit në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pra, problemi është të lufta çlirimtare, jo të dita e çlirimit”, tha Rexhep Selimi.

12 qershorin si festë zyrtare të çlirimit të Kosovës, e sheh të domosdoshme edhe analisti Imer Mushkolaj.

 “Ligji domosdo duhet të ndryshoj, tash institucionet e Kosovës vendosin për gjithçka në vend dhe Kuvendi i Kosovës gjithsesi duhet ta marr iniciativën që Kosova ta ketë ditën e vet të çlirimit”, theksoi Mushkolaj.

Ai po ashtu ka theksuar se 12 qershori, dita e çlirimit nuk duhet të barazohet me festat e tjera memoriale, sepse ajo i kalon këto përmasa. Kosova sipas ligjit për festat zyrtare ka 11 festa zyrtare përfshirë këtu edhe festat e komuniteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat