Shifra alarmante, për 5 muaj kaq gra janë prekur nga kanceri

Kosova

Shifra alarmante, për 5 muaj kaq gra janë prekur nga kanceri

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 14:16
Foto ilustrim

Në pesë muajt e parë të këtij viti, 50 femra janë prekur me kancer të qafës së mitrës.

Ndërkaq, gjatë vitit 2017, kanë qenë 130 raste, të cilat janë paraqitur në Institutin onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me këtë sëmundje.

Nga aspektin global, kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje që prek rreth 400 mijë gra në vit, kurse 200 mijë të tjera vdesin brenda vitit.

Por, profesionistët shëndetësorë thonë se nëse zbulohet me kohë, është 100 për qind e shërueshme.

Ekrem Hyseni, onkolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo sëmundje atakon kryesisht moshat e reja.

“Kanceri i qafës së mitrës apo kanceri cervikal, është sëmundje që është duke e prekur moshën e re dhe paraqet problem edhe në diagnostikim dhe trajtim.

Në Kosovë është një program për skrening të kancerit të qafës së mitrës ku Bordi kombëtar kundër kancerit e ka themeluar këtë program dhe e ka dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa presim që kjo të nis në vitin 2019 në tërë Kosovën, e që mundëson zbulimin e hershëm ku mjekimi pastaj është shumë i suksesshëm. Zbulimi me papa-test nuk është i kushtueshëm dhe mjekohet me kirurgji, ku të prekurat nuk iu nënshtrohen rrezatimeve”, thotë Hyseni.

Hyseni shton se në botë përdoret edhe vaksina kundër sëmundjes së kancerit të mitrës, e që është një metodë parandaluese shumë e efektshme. Por, ai thotë se në Kosovë, për shkak të kostos së lartë që bart kjo vaksinë, nuk është në kalendarin e vaksinimit të rregullt.

“Në të ardhmen do të ishte mirë që të mbrohen femrat nga kjo sëmundje me vaksinë. Kjo nuk bëhet në Kosovë, e që do të ndikonte në uljen e numrit të prekurave me kancer të qafës së mitrës. Por, mendoj se është çështje e kostos ajo pse nuk bëhet vaksinimi, por këtë vaksinë nuk e bëjnë as vendet e regjionit”, shpjegon Hyseni.

Drejtori për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se çështja e futjes së vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës, është diskutuar disa herë,mirëpo përpos kostos së lartë financiare që bart më vete kjo vaksinë, është edhe çështja tjetër që ende nuk ka dëshmi shkencore të bazuara në fakte se sa është efektive apo cilat janë efektet anësore.

Ai shton se disa shtete, pas futjes së kësaj vaksine në kalendarin e rregullt, e ka bërë tërheqjen nga kalendari i vaksinimit.

“Virusi që e shkakton kanceri në qafën e mitrës është diskutuar dhe ka mbetur të vazhdojnë diskutimet nëse do të duhej të futej në kalendar vaksina kundër kësaj sëmundjeje. Çështjet që duhet të definohen është fakti se a ka Kosova mjete financiare për t’i mbuluar këto vaksina dhe çështja e dytë, është se çfarë po ndodh realisht me këtë vaksinë edhe me shtetet tjera?”.

“Kjo vaksinë është futur në përdorim në disa shtete dhe më pas është tërhequr dhe kjo duhet të qartësohet”, shton Hoti.

Ndërkaq, sa i përket shtrirjes së programit të skreningut për kontroll të kancerit, Hoti thotë se janë duke bërë përpjekje që kjo të bëhet sa më shpejt.

“Në Kosovë ekziston Bordi nacional kundër kancerit dhe fillimisht është shkuar me pilot programe në disa komuna, ndërkaq intenca e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe organizatave tjera që kontribuojnë në këtë fushë, është që të ketë shtrirje në gjithë Kosovën, dhe kjo pritet të ndodhë”, shpjegon ai.

Gjatë këtij viti nga kanceret gjinekologjike në përgjithësi, janë prekur rreth 100 femra, derisa në vitin 2017 janë diagnostikuar rreth 280 femra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat