Pako ligjore për Administratën Publike në fazën finale

Kosova

Pako ligjore për Administratën Publike në fazën finale

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 13:45
Drejtues të Ministrisë së Administratës Publike

Në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, drejtues të Ministrisë së Administratës Publike, kanë paralajmëruar se janë në fazën finale të pakos ligjore të re për reformën në Administratën Publike, e cila do të rregullon funksionimin e tërë aparatit shtetëror.

Ministri i MAP, Mahir Yagcilar me këtë rast ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht Ministria e Administratës Publike është duke punuar në ndërtimin e një administratë publike më profesionale, llogaridhënëse dhe më efikase.

Yagcilar: MAP është në fazën finale të pakos ligjore së re për Administratën Publike

“Shënimi i kësaj dite në Republikën e Kosovës ka një rëndësi të veçantë, sidomos në këtë vit kur Ministria e Administratës Publike së bashku me institucione të tjera shtetërore, është në fazën finale të pakos ligjore të re për reformën në Administratën Publike, e cila do të rregullon funksionimin e tërë aparatit shtetëror, do të vënë kritere të qarta për rekrutimin, avancimin në karrierë dhe performancën e të punësuarve në sektorin publik dhe do të rregullon problemet aktuale në sistemin e pagave”, ka thënë Yagcilar.

Anëtari i Këshillit të Pavarur për Mbikëqyrje në Shërbimin Civil, Lulëzim Alija tha se rritja e ankesave nga nëpunësit civil, tregon se është ngritë vetëdijesimi i këtyre punonjësve për të drejtat e tyre, mirëpo ka pasur edhe ankesa në procesin e rekrutimit me konkurse nga kandidatët për punësim në administratën publike.

Ai tha se janë evidentuar mbi 500 raste që ka pasur shkelje të ligjeve në fuqi.

Alijaj: Gjatë vitit 2017, kemi pasur 817 ankesa

“Gjatë vitit 201, ne kemi pasur gjithsejtë 817 ankesa të nëpunëseve civil dhe kandidatëve për pranim në Shërbimin Civil. Sa i përket procesit të vëzhgimit duhet theksuar që ne kemi vëzhguar 312 procedura për emërimin e nëpunësve civil të nivelit drejtues dhe nga këto procedura ne kemi miratuar si të rregullta 164 pozita, kurse kemi anuluar 148 pozita… Këto anulime kanë ndodhur për shkak të gabimeve që kanë ndodhur në procesin e rekrutimit dhe për shkak të kritereve që nuk janë respektuar, qoftë sa i përket përvojës së punës, qoftë për komisionet përzgjedhëse, qoftë për teste, qoftë për procedura të tjera”, ka thënë Alijaj.

Besnik Tahiri, koordinator për në Zyrën e Kryeministrit për administratë publike, tha se për këtë ditë mund të flitet gjerë e gjatë, mirëpo, veçoi dy momente për këtë. Ai tha se ajo që e karakterizon shtetin e Kosovës, është se administrata e Kosovës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin dhe në ballafaqimin e shërbimeve në të gjithë dikasteret e shtetit.

Tahiri: Shërbimi Civil kontriboi në konsolidimin e shtetit

“Administrata publike dhe shërbimi civil që në nisje të vet Kosovës e deri në këtë ditë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetit, në konsolidimin e strukturave të qeverisjes dhe mbi të gjitha në ballafaqimin e juaj me shërbimet që ju i ofroni në emër të shtetit në të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë, në të gjitha nivelet. Në rast se flasim për ballafaqimin me të vërtetën dhe me shërbimin që jep shteti, atëherë është shërbimi i cili jeni ju, ata të cilët jeni dora e parë, jeni syri i parë, jeni veshi i parë i shoqërisë dhe i shërbimeve që ju i ofroni për popullin”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, Mursel Zymberi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Kosovës të SHCK-së, ka kërcënuar Qeverinë dhe Ministrinë e Administratës Publike që ta miratojnë sa më parë pakon e ligjeve për pagat dhe Shërbimin Civil, në të kundërtën ai tha se do të mbajnë edhe protesta dhe greva.

Zymberi: Do t’i ndjekim rrugët ligjore për miratimin e pakos ligjore

“Zotëri ministër Yagcliar, zotëri Besnik Tahiri, po ju themi sinqerisht se nëse nuk ka me kaluar pakoja ligjore, Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës e ka ndërmend t’i ndjek rrugët e gjyqësore, realisht nuk i frikohemi as protestave dhe as grevave, por rruga gjyqësore ka me qenë ajo që kemi me detyruar, sepse vendimi paraprakisht është i drejtë dhe në anën tonë. Kemi me detyruar Qeverinë që në mënyrë retroaktive për tetë vitet e kaluara që nuk e ka zbatuar ligjin për pagat e nëpunësve civil, ke me i kthyer ato mjete”, ka thënë Zymberi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil është diskutuar po ashtu edhe për reforma dhe sfida në shërbimin civil, si dhe janë ndarë mirënjohje për kontributin dhe angazhimin e nëpunësve më të dalluar civil të Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat