Kapen prodhuesit e kriptovalutave që po vjedhin rrymën

Kosova

Kapen prodhuesit e kriptovalutave që po vjedhin rrymën

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 16:32
Në katin e fundit të një ndërtese në Veternik një prodhues i tillë kishte montuar qindra pajisje, ndërsa rrymën e kishte instaluar direkt, duke tejkaluar njehsorin matës.

?Prodhimi i kriptovalutave apo “mining” siç njihet në gjuhën e teknologjisë është një aktivitet tejet i famshëm dhe fitimprurës në botë, por edhe në Kosovë.

Ky aktivitet involvon instalimin e makinerive teknologjike me kapacitet të lartë shpenzues elektrik. Kështu disa prodhues të pandërgjegjshëm kanë vendosur që t’i ikin pagesës së shpenzimit të energjisë elektrike duke e vjedhur atë, në dëm të fqinjëve të vet.

Në katin e fundit të një ndërtese në Veternik një prodhues i tillë kishte montuar qindra pajisje, ndërsa rrymën e kishte instaluar direkt, duke tejkaluar njehsorin matës.

Ky prodhues para pak ditësh ka pasur një vizitë nga KEDS dhe është zënë në flagrancë.

Në KEDS e pranojnë se janë në aksion kundër këtyre keqpërdoruesve. Sipas zyrtarëve të KEDS, vetëm në dy javët e fundit janë zënë dhjetëra raste të prodhuesve të kriptovalutave që po vjedhin rrymën.

“Ne posedojmë teknologji të avancuar që na bën shumë të lehtë identifikimin e prodhuesve të krpitovalutave që keqpërdorin rrymën, por duhet cekur që një kontribut të veçantë në këtë aspekt janë duke e dhënë edhe vet konsumatorët që po na lajmërojnë edhe për raste tjera të keqpërdorimit të rrymës elektrike”, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS.

Buzhala thotë se keqpërdoruesit e zënë janë dënuar me “rikthim të humbjeve”, i cili kalkulohet me sasinë e shpenzimeve dhe kohën kur ka filluar keqpërdorimi.

“Në këtë aspekt ka pasur konsumator që kanë arritur që të keqpërdorin deri në 70 mijë euro për disa muaj, shumë këto që tash obligohen t’i paguajnë. Përveç kësaj ndaj këtyre keqpërdoruesve është inicuar edhe kallëzim penal”, thotë Buzhala.

Ai i ka ftuar të gjithë prodhuesit e kriptovalutave, por edhe keqpërdoruesit tjerë që të lajmërojnë aktivitetin e tyre dhe kërkojnë pëlqimin teknik, në mënyrë që t’i ikin kallëzimit penal.

Sipas zëdhënësit të KEDS-it konsumatorët gjithnjë e më shumë janë duke u ndërgjegjësuar dhe duke kuptuar faktin se keqpërdorimi i rrymës ndikon drejtpërdrejt në keqfurnizimin e të gjithë lagjes dhe shkakton avari të shpeshta, andaj edhe ka rritje gjithnjë e më të madhe të lajmërimit të keqpërdorimeve.

“Ne kemi listuar edhe shumë prodhues tjerë të kriptovalutave që po keqpërdorin rrymën dhe shpresojmë që gjatë dy muajve në vijim t’i arrijmë të gjithë, meqë jemi duke punuar me ekipe të shtuara”, thotë Buzhala.

Në kapjen e keqpërdoruesve KEDS shpeshherë ka nevojë edhe për mbështetjen e policisë dhe organeve të tjera të rendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se pas vlerësimit të kërkesave për asistencë, ata vendosin për veprimet e nevojshme.

“Policia e Kosovës e trajton çdo kërkesë e cila i adresohet dhe konform saj e trajton dhe e vlerëson dhe në bazë të vlerësimeve i merr edhe veprimet e nevojshëm për të dhënë asistencë”, tha Kelani

Në anën tjetër sipas Viktor Buzhalës është duke u bërë punë dhe hetim edhe kundrejt keqpërdoruesve tjerë përveç prodhuesve të kriptovalutave.

“Ne ftojmë konsumatorët që të lajmërojnë keqpërdoruesit e rrymës elektrike dhe i garantojmë se lajmërimi i tyre do të mbetet anonim”, thotë Viktor Buzhala.

Ai ka treguar se KEDS ka krijuar disa kanale për lajmërimin e keqpërdoruesve siq janë numri pa pagesë 0800 791 00, në emailin [email protected], si dhe përmes mesazheve në faqen e facebookut  https://www.facebook.com/kedse...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat