Kryetari i Deçanit tenton t'ia shpëtojë fytyrën Haradinajt: Vëllezërit e Beg Rizës u konfrontuan mes vete

Kosova

Kryetari i Deçanit tenton t'ia shpëtojë fytyrën Haradinajt: Vëllezërit e Beg Rizës u konfrontuan mes vete

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 15:00
Bashkim Ramosaj dhe Ramush Haradinaj

Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit, ka thënë se Ramush Haradinaj s’ka pasur kurrfarë problemesh me vëllain e Beg Rizajt, Aliun. Mirëpo, sipas tij, Aliu kishte problem me dy vëllezërit e tij. Ramosaj ka folur edhe për shtatoren e Beg Rizajt, duke thënë se e kanë nderuar për kohën sa ishte në UÇK, por, jo edhe për sulmin në Kumanovë.

Kreu i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka treguar për KALLXO.com versionin e tij se çfarë ka ndodhur gjatë ceremonisë së zbulimit të shtatores së Beg Rizajt. Sipas tij, Ailu [vëllau i Beg Rizajt] ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që t’i largoj vëllezërit e tij të tjerë nga aty, ngase ata nuk kanë qenë në luftë dhe nuk duhej ta zbulonin shtatoren e vëllaut të vdekur. Madje ai nuk ka lejuar që shtatoren ta zbuloj as djali i Beg Rizës.

“Gjatë zbulimit të shtatores, njëri nga vëllezërit e Beg Rizajt [Aliu] ka qenë në konflikt me dy vëllezërit tjerë [Ramizin dhe Hakiun], të cilët nuk ka desht me marrë pjesë në zbulimin e shtatores”, tha Ramosaj.

Sipas tij konflikti ishte mes vëllezërve Rizaj, jo me kryeministrin Ramush Haradianj, dhe se ky i fundit ka ndërhyrë në këtë ngjarje.

“Ka qenë një konflikt me vëllezërit e vet dhe ka kërkuar nga kryeministri që dy vëllaznit e tij që ishin prezent aty, vëllai i madh [Ramizi] dhe vllau ma i vogël [Hakiu] mos me marr pjesë në zbulimin e shtatores për shkak që i ka akuzu se nuk kanë qenë në luftë”, tregon ai.

“Vëllau i Beg Rizajt kishte problem me vëllezërit e tij, jo me kryeministrin”, ka thënë Ramosaj për kallxo.

Ramosaj thotë se e ka akuzuar edhe atë si organizator.

“Njëkohësisht ai m’ka thonë edhe mu, që si oraganizator i kësaj ngjarje u desht me ditë që ata nuk kanë qenë në luftë dhe nuk bon me zbulu shtatoren”, tha ai.

I pyetur nëse kanë pas ftesë familja, ai thotë se ata kanë pasur ftesë dhe se shtatoren ka qenë e planifikuar ta zbuloj djali i Beg Rizës.

“Po kanë pasë ftesë familja dhe janë marr vesh që zbulimin me bo djali i Begut, mirëpo ai [Aliu] s’është pajtu që me bo as djali e as vllaznit [tjerë], por me bo vet, se me demek që ai e ka financu për luftë, ai e ka udhëheqë, ai e ka përcjellë për luftë dhe është kujdes për luftë”, ka treguar Ramosaj.

Ai tha se kryeministri i ka dhënë të drejtën vetëm vëllaut, Aliut, ta zbulojë shtatoren.

“Ramushi e ka marr Aliun me veti, i ka thanë “ti ki me zbulu” edhe ja ka jep të drejtën që vetëm ai me zbulu dhe ata dy vllaznit tjerë i tërhek ma anej”, tha Ramosaj

Ndërkohë, Ramosaj, ka thënë se shtatorja e Beg Rizajt nuk është ndërtuar me para të Komunës. Por, të bashkëluftëtarëve te tij. Ka thënë se pjesëmarrja e tij në përurim të shtatores nuk lidhet me përkrahjen e Shtetit për aksionin e Rizajt në Kumanovë.

“Jo, e kemi nderuar për atë që ka bërë në UÇK. Veç për atë pjesë e kemi nderuar dhe nuk lidhet ky aktivitet fare me atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë”, ka thënë Ramosaj, që ka qenë bashkë në luftë me Rizajn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat