Mbrojtja e të akuzuarit për terrorizëm kërkon nga Apeli lirimin e tij nga akuza

Kosova

Mbrojtja e të akuzuarit për terrorizëm kërkon nga Apeli lirimin e tij nga akuza

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 20:18
Pamje nga Gjykata

Me pretendimet se nuk është arritur të vërtetohet fajësia, avokati Samedin Cena të enjten i propozoi Gjykatës së Apelit që të mbrojturin e tij, Nexhat Ademin ta lirojnë nga akuza.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti, Nexhat Ademin e kishte dënuar me tre vite burgim për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Mirëpo, sipas mbrojtjes së të akuzuarit Ademi, ky aktgjykim i gjykatës së shkallës së parë është nxjerr me shkelje të dispozitave procedurale dhe se në të nuk janë paraqitur fare arsyet në lidhje me faktet vendimtare.

“Nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale. Arsyetimi nuk përputhet me dispozitivin e aktgjykimit sepse në aktgjykim thuhet se i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë kurse pastaj, në të njëjtin aktgjykim, thuhet se si rrethanë lehtësuese gjykata ka vlerësuar pendimin e të akuzuarit. Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi pasi i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë kështu që, si mund i njëjti të jetë i penduar”, deklaroi avokati Cena në fjalën e tij para kolegjit të Apelit.

Sipas avokatit Cena, prokuroria si prova në këtë çështje ka paraqitur vetëm disa video të marra në youtube, e për të cilat Cena tha se nuk kanë qenë video që janë krijuar nga i akuzuari, por janë marrë në rrjete sociale.

Tutje, avokati shtoi se nuk ka pasur asnjë dëshmitar që ka dëshmuar se i akuzuari ka qenë në Siri, e nuk ka asnjë provë për ta vërtetuar.

Krejt vendimin e saj, siç tha avokati, gjykata e ka bazuar në faktin se i akuzuari është besimtar i devotshëm i fesë islame dhe se këtë fakt nuk e ka fshehur.

Andaj, duke u bazuar në të gjitha këto rrethana, mbrojtja i propozoi Apelit që të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe të akuzuarin Nexhat Ademi ta lirojë nga akuzat.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Nexhat Ademin e akuzonte se më 17 janar 2014, ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj nga Stambolli ka udhëtuar për në qytetin Gazientep të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, nga aty ka arritur të kaloi në territorin e Sirisë me dashje që t’i bashkohet dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al Nusra”. Sipas aktakuzës, i pandehuri Ademi, pasi që ka qëndruar një javë në Siri është kthyer në Kosovë.

Prokuroria pretendon se Ademi më 4 mars 2016, ka provuar që përsëri të shkoi në Siri, duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, mirëpo i njëjti pasi mbërrin në Aeroportin e Stambollit, autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës./betimiperdrejtesi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat