QKUK: Shpëtohet jeta e pesë pacientëve me vdekje klinike

Kosova

QKUK: Shpëtohet jeta e pesë pacientëve me vdekje klinike

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Pas reanimit nga ekipi reanimator i Qendrës Emergjente, pesë pacientë që ishin në vdekje klinike, menjëherë u është bërë angiografia- stentimi, apo intervenimi kardiokirurgjik.

Atyre u është vazhduar disa ditë mjekimi në kuadër të  Mjekimit Intensiv Qendror, Njësi Koronare, apo Kardiokirurgji dhe tashmë nga gjendja e vdekje klinike gëzojnë shëndet të mirë.

Pesë pacientët janë lëshuar në mjekim ambulantor në gjendje të mirë shëndetësore, falë bashkëpunimit  ekipor ndërmjet shërbimeve të ndryshme në QKUK.

QKUK ka disa muaj që është në  funksion 24-orësh për të trajtuar të gjitha rastet e infarkteve akute që kanë nevojë për intervenim të menjëhershme.

Operacione të komplikuara vazhdojnë të kryhen edhe tek shërbimi i kardiokirurgjisë, një intervenim i tillë është kryer edhe te  pacienti i moshës 56 vjeçare i diagnostikuar si valvulë bikuspidale (ves i lindur) dhe me insuficiencë të avancuar të kësaj valvule, zgjerim i aortes ascendente mbi 6 cm, sëmundje të arterieve koronare, sëmundje të sheqerit dhe të veshkave. Pacientit ju krye  operacioni kompleks në zemër me sukses të plotë.  

 Operacioni i realizuar kishte si sukses zëvendësimin e valvulës aortale, ndërrimin e aortës ascendente, reimplantimin e arterieve koronare (Bentall Operation). Gjithashtu pacientit iu realizua heqja e pllakës aterosklerotike nga arteria koronare  dhe realizimi i tre bypass aorto-koronar.

Operacioni u realizua nga Arbër Kutllovci, kardiokirurg dhe Adem Grbolar, kirurg kardiovaskular. Ekipi u mbështetë nga një staf me mbi 15 profesionistë shëndetësorë.

Pas ndërhyrjes kardiokirurgjike, pacienti lirohet në shtëpi në ditën e gjashtë post-operatore me gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat