Shoqëria civile i kërkon Lumezit ta hetojë 53 milionëshin e Bechtel-Enkës

Kosova

Shoqëria civile i kërkon Lumezit ta hetojë 53 milionëshin e Bechtel-Enkës

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 17:09
Aleksandër Lumezi

Shoqëria Civile i është drejtuar me një letër të hapur Kryeprokurorit të Kosovës, Aleksandër Lumezi në lidhje me detyrimin e qeverisë prej 53 milionë euro ndaj Bechtel-Enka në projektin e autostradës “Arben Xhaferi”.

OJQ-të e kanë vlerësuar këtë çështje si alarm për prokurorinë, përderisa kanë ngritur dyshime për shumën që pagoi qeveria.

Tutje në letër thuhet se mos hetimi i kësaj me urgjencë do të ishte një lëshim i rëndë i instituciont të prokurorisë, ndërsa i është bërë thirrje Lumezit që të nis hetimet sa më parë.

Më poshtë gjeni letrën e plotë.

I nderuar Kryeprokuror i Kosovës, zt. Aleksandër Lumezi,

Buxheti i Kosovës para disa ditësh humbi edhe 53 milionë euro me një vendim të vetëm qeveritar. I humbi sepse këto mjete nuk shkuan për ndërtimin e kilometrave shtesë të rrugës por si dënim për mospërmbushje të detyrimeve të kontratës nga ana e qeverisë së Kosovës. Këto mjete nga kuleta e përbashkët përfunduan në llogaritë bankare të një konsorciumi privat. E dyshimta tjetër këtu është se si një humbje e paqartë prej 14 milionë në 2017 u ngrit në 53 milionë brenda disa muajve.

Ne, organizatat e shoqërisë civile dhe individët e nënshkruar, mendojmë se ky rast do të duhej të shërbente si alarm për Prokurorinë e Republikës së Kosovës për të hetuar mundësinë për një abuzim të parasë publike të përmasave enorme.

Kur bëhet fjalë për shuma kaq të mëdha dhe siç dëshmuan rastet e mëhershme të arbitrazhit ndërkombëtar, ngjallen dyshime serioze se mos përmbushjet e detyrimeve të kontratës janë të qëllimshme dhe në bashkërendim të plotë me kontraktuesin. Mungesa e reagimit të prokurorisë në raste të më hershme, ka krijuar komoditetin e keqmenaxhimeve të fondeve publike. Çdo shkelje e ligjit duhet të marrë dënimin e merituar, por shkeljet e përmasave të tilla do të duhej të na alarmonin në nivel kombëtar. Nëse Kosovës së lodhur nga varfëria kronike i plaçkiten me kaq lehtësi 53 milionë euro, si mund të ngjallë kjo shoqëri besimin te qytetarët e vet dhe të aspiroj të jetë shtet i së drejtës? Duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo është humbja më e madhe e parasë publike, të paktën që dihet publikisht. Andaj, mos hetimi i kësaj me urgjencë do të ishte një lëshim i rëndë i instituciont të Prokurorisë.

I nderuar kryeprokuror i Kosovës, zhvatja e 53 milionë eurove ka adresën e institucioneve, ka vendimet e marra nga këto institucione dhe dokumentet përkatëse (kontrata specifike) të cilat shumë lehtë mund tëtregojnë emrat e përgjegjësve ligjore për këtë plaçkitje të pasurisë publike. Është detyrë e juaja ligjore dhe morale që ta hetoni këtë punë deri në fund dhe në këtë përpjekje shoqëria civile do të qëndroj përkrah jush, por edhe në mbikëqyrjen tuaj.

Qytetarët e Kosovës e kanë kaluar testin e imunitetit ndaj korrupsionit. Në të gjitha hulumtimet, korrupsioni i nivelit të ulët (gjatë ndërveprimit mes qytetarëve dhe shtetit) është në nivelet më të ulëta në rajon. Por, siç tregojnë matjet e opinionit, këtë test assesi nuk po arrijnë t’a kalojë klasa aktuale politike, e cila përmes ndërhyrjeve të vrazhda vazhdon të minojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojë pandëshkueshmërinë për vete dhe njerëzit e afërt me ta. Për fajin e këtyre politikanëve, qytetarët e këtij vendi vazhdojnë të mbesin të vetmin qytetarë evropianë të izoluar.

I nderuar kryeprokuror, në ditët në vijim do të shihet nëse ju do ta kaloni këtë test, duke vëzhguar nëse do t’i përmbushni obligimet e juaja kushtetuese e ligjore dhe zotimet të cilat i dëgjojmë nga ju dhe vartësit tuaj në të gjitha forumet në të cilat merrni pjesë. Apo do të vendosni të heshtni, duke i mbyllur sytë para këtij rasti flagrant. Nëse vendosni të heshtni, ju përkujtojmë se kjo shoqëri do t’ju mbajë si bashkëpërgjegjës dhe ju nuk do të keni më asnjë arsye morale dhe ligjore për të qëndruar në pozitën tuaj.

Organizatat e nënshkruaraQendra Kosovare për Studime të Sigurisë

INDEP

D+

Lëvizja FOL

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Sbunker

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat