UP promovon 10 doktorantë të rinj

Kosova

UP promovon 10 doktorantë të rinj

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 16:29
10 doktorantë të rinj

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur ceremoninë e gradimit të dhjetë kandidatëve në doktorë të shkencave. Kandidatët e shpallur doktorë të shkencave janë nga Fakulteti Filozofik, Juridik, Ekonomik dhe ai i Mjekësisë.

Rektori i UP-së, Marjan Dema theksoi se puna me përkushtim e kandidatëve ka bërë që ata të jenë këtu ku janë sot, duke bërë krenarë jo vetëm familjarët por edhe UP-në.

“Ju keni arritur deri tek ky moment në sajë të punës dhe përkushtimit tuaj, por edhe falë përkrahjes dhe familjes tuaj. Ju bëtë krenarë familjet e juaja, mësuesit, profesorët dhe mua si të parin e UP-së dhe sot të gjithë ne po i gëzohemi këtij suksesi”, ka thënë Dema.

Ai gjithashtu theksoi se UP është duke punuar fuqishëm që të bëhet avancim në mësimdhënie, mësimxënie, kërkime shkencore por edhe në shërbim ndaj shoqërisë.

Përveç rektorit Dema, të pranishëm në këtë ceremoni ishin prorektori për zhvillim dhe cilësi në UP, Hysen Bytyqi, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, prodekanja e Fakultetit Juridik, Iliriana Islami dhe prodekani i Fakultetit të Mjekësisë, Kreshnik Hoti.

Sipas njoftimit të UP-së, në cilësinë e promotorëve të kandidatëve ishin profesorët Gazmend Rizaj, Rexhep Gashi, Bedri Peci, Enver Kutllovci, Skënder Ahmeti, Naser Ramadani, Shaip Krasniqi, Halit Ymeri, Metush Disha dhe Resmije Ademi.

Kandidatët e shpallur doktorantë janë:

1. Shpend Avdiu

2.  Miftar Shala

3. Fitore Morina

4. Albana Berisha-Qehaja

5. Albulena Shala

6. Drita Kutllovci-Zogaj

7. Armond Daci

8. Arben Kutllovci

9. Kastriot Meqa

10. Jehona Ahmedi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat