Ministri Bytyqi, premtoi zgjidhjen e shumë problemeve në arsim

Kosova

Ministri Bytyqi, premtoi zgjidhjen e shumë problemeve në arsim

Më: 23 maj 2018 Në ora: 14:19
Bytyç nga vizita në Malishevë

Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar sot në Komunën e Malishevës, ku është pritur nga nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, drejtori i arsimit Blerim Thaçi dhe zyrtarë tjerë të qeverisë komunale. Po ashtu, ministri Bytyqi, ka marrë pjesë edhe në shënimin e ditës së shkollës, "Hasan Prishtina" në Tërpezë. Gjatë kësaj vizite, ministri Bytyqi, ka premtuar se do ta përkrahë Malishevën në fushën e arsimit, si dhe ka premtuar se janë drejt zgjidhjes së shumë problemeve në arsim.

Në këtë vizitë ministri Bytyqi, fillimisht është njoftuar nga nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, me rrjedhat dhe zhvillimet e përgjithshme në Malishevë, me theks të veçantë në fushën e arsimit, i cili ka kërkuar mbështetje më të madhe nga ana e ministrisë. Po ashtu edhe drejtori komunal i arsimit, Blerim Thaçi, e ka njoftuar ministrin, me procesin e arsimit në Komunën e Malishevës dhe nevojat që ka Malisheva.

Ministri Bytyqi, pasi është njoftuar me zhvillimet e përgjithshme, e ka përgëzuar Komunën e Malishevës, për investimet dhe përkushtimin që ka në fushën e arsimit, ndërsa ka premtuar se përkrahja, për Malishevën dhe për komunat tjera, nuk do të mungoj, përderisa Komunën e Malishevës, e ka vlerësuar si komunë model për qeverisjen lokale.

Gjatë bisedës me udhëheqjen komunale, ministri Bytyqi, ka premtuar se krahas shumë ligjeve, përmes së cilave janë zgjidhur disa nga problemet që preokupojnë arsimin në Kosovën, tani janë duke u marrë edhe me zgjidhjen e problemit me mësimdhënës të cilët kanë probleme shëndetësore, me sëmundje të ndryshme malinje apo sëmundje tjera, të cilat ndikojnë në punën e tyre.

Gjithashtu, ministri Bytyqi dhe drejtori komunal i arsimit, Thaçi, kanë biseduar edhe për sistemin e arsimit para fillorë dhe organizmin dhe funksionimin e çerdhes publike. Sipas drejtorit Thaçi, nevoja për ndërtimin edhe të një çerdhe është shumë e madhe, pasi kërkesat janë të shumta, ndërsa sistemi i arsimit para fillorë, është i organizuar në të gjitha shkollat, edhe pse ka mungesë të mësimdhënësve adekuat.

Më pas, ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, kanë marrë pjesë në shënimin e ditës së shkollës në SHFMU "Hasan Prishtina" në Tërpezë, pjesë e së cilës ka qenë edhe ministri Bytyqi, si nxënës i kësaj shkolle.

Në këtë shënim festiv, ministri i arsimit, e ka përsëritur premtimin e tij se përkrahja për Malishevën, në fushën e arsimit nuk do të mungoj, ndërsa i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e shënimit të 70 vjetorit të hapjes së shkollës në Tërpezë, ndërsa ka ndarë edhe kujtimet e tij, me këtë vatër shkollore, prej ku kanë dalë shumë kuadro që kanë kontribuar për vendin. "Vendi ynë ka nevojë për energji të reja dhe dije, dhe ju nxënës, jeni ata që duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi që keni sot, në mënyrë që nesër ti kontribuoni vendit, pasi këta mësues, e sidomos mësuesit veteran, kanë sakrifikuar dhe janë munduar për ne, që ne sot ti kontribuojmë  vendit dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë", tha mes tjerash ministri Bytyqi, në porosinë e tij, drejtuar nxënësve të kësaj shkolle.

Edhe nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle me rastin e shënimit të 70 vjetorit të hapjes së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat