Legalizimi do të ketë kosto më të lirë

Kosova

Legalizimi do të ketë kosto më të lirë

Më: 23 maj 2018 Në ora: 12:21
Ilustrim

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, ka miratuar projektligjin për trajtimin e objekteve pa leje, për të cilin u tha se do të ketë mundësi që procesi i legalizimit të shkojë më mirë, pasi do të ketë kosto më të lirë dhe procedura të shpejta.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Liburn Aliu anëtar i Komisionit dhe kryetar i grupit punues për projektligjin që trajton ndërtimet pa leje, shpreson që me këtë projektligj do të ketë mundësi që procesi i legalizimit të shkojë më mirë.

“Ky projektligj do të ketë rol me rëndësi edhe në procesin e pranimit teknik të ndërtimeve”, ka thënë Aliu, duke shtuar se në bashkëpunim me ministrinë përkatëse janë hartuar edhe amendamente që në total arrin në numrin 9, ndërsa amendamentet e përgjithshme të këtij projektligji janë 19.

Mirëpo, ai tha se nuk mund të bëhet asnjë legalizim pa u zgjidhur çështja pronësore.

“Të ketë certifikatë të pronës pa vërejtje, pa asnjë problem bëhet legalizimi”, tha Aliu.

Kryetari i Komisionit Daut Haradinaj tha se plot projekte, duke filluar nga aeroporti “Adem Jashari”, autostrada Ibrahim Rugova, stadiumi i qytetit në Prishtinë e shumë projekte të tjera nuk kanë leje, dhe se të gjitha ato duhet t’i nënshtrohen procesit të legalizimit.

Haradinaj tha se “Vetëm Teatri Kombëtar ka leje”, por Lutfi Zharku anëtar, tha se rrugët e ndërtuar janë trajtuar me ligjin e rrugëve dhe nuk janë ndërtime pa leje.

Daut Haradinaj tha se uzurpatorët me ligj duhet të nxirren në rrugë kushdo qofshin ata.

Komisioni me vetëm një votë kundër nga Lista serbe, ka miratuar projektligjin për trajtimin e objekteve pa leje.

Srgjan Mitroviq nga Lista Serbe tha se ky projektligj nuk do ta ketë përkrahjen e komunitetit serb, pasi sipas tij, nuk janë marr parasysh rekomandimet e këtij komuniteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat