Ilazi: Ende nuk dihet se kur do të lëshohet për qarkullim rruga Kaçanik-Han i Elezit

Kosova

Ilazi: Ende nuk dihet se kur do të lëshohet për qarkullim rruga Kaçanik-Han i Elezit

Më: 21 maj 2018 Në ora: 13:16
Rruga Kaçanik-Han i Elezit

Rrëshqitjet e dheut dhe gurëve në rrugën magjistrale Kaçanik- Han i Elezit, detyruan Ministrinë e Infrastruktuës që të mbyllë përkohësisht këtë pjesë deri në rregullimin e problemit.

Një veprim i tillë nuk ishte pritur mirë nga kryetarët e dy komunave, Hanit të Elezit dhe Kaçanikut, e sidomos nga ky i fundit i cili edhe kishte akuzuar ministrin Lekaj se nuk është konsultuar paraprakisht me ta para marrjes së këtij vendimi.

E ndërsa kjo rrugë po vazhdon të mbetet e mbyllur, ministri Lekaj ende nuk ka kontaktuar njërin prej dy kryetarëve të komunave.

I pari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha sot se nuk kanë pasur kontakt me ministrin, por vetëm me zëvendësin e tij, Rexhep Kadriun.

Ilazi shtoi se ende nuk ka ndonjë datë të mundshme se kur mund të lëshohet në qarkullim magjistralja që lidh Kaçanikun me Hanin e Elezit.

“Me ministrin nuk kemi pasur kontakt deri më tani. Kemi pas kontakt me zëvendësministrin, Rexhep Kadriun, kemi zhvilluar një takim gjatë ditës së enjte, pastaj kemi zhvilluar një takim edhe gjatë ditës së shtunë në vendin ku po bëhen punimet, por nuk kemi ndonjë datë se kur mund të lëshohet rruga magjistrale Kaçanik- Han i Elezit”, bëri të ditur Ilazi.

Megjithatë, Ilazi shtoi se është gjendur edhe një zgjidhje alternative për fshatrat të cilat kishin mbetur të izoluara nga bllokimi i kësaj magjistraleje.

“…ka filluar ditën e shtunë realizimi i një zgjidhje alternative, të një rruge që lidh Kotlinën me Ivajën e cila do të shtrohet me zhavor, dhe kjo është kërkesa e parë, ku shpresoj se do të na ndihmohet që edhe të asfaltohet, ngase do të jetë e paqasshme ose shumë shpejt do të dëmtohet nëse nuk vazhdohet tutje me asfaltimin e saj. Po shpresojmë që brenda pak ditësh kjo rrugë do të bëhet e qarkullueshme për automjetet e vogla, ndërsa në anën tjetër për lëshimin e rrugës magjistrale ende nuk kemi ndonjë informacion”, theksoi Ilazi.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, bëri thirrje sot që të punohet më shpejtë deri në lëshimin për qarkullim të kësaj rruge.

“U njoftova nga ministri Lekaj, që për të evituar dheun e rrëshqitur në këtë rrugë tashmë po punohet me dy ndërrime dhe se rruga për banorët dhe bizneset do të hapet gjatë këtij muaji”, deklaroi sot Haradinaj.

Ndryshe, rruga Kaçanik- Han i Elezit, rezultoi fatale për dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Armend Trena dhe Malsor Dashi, të cilët humbën jetën pas aksidentimit në këtë magjistrale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat