Intensitet i lartë në gjykimin ndaj Shukri Bujës

Kosova

Intensitet i lartë në gjykimin ndaj Shukri Bujës

Më: 19 maj 2018 Në ora: 00:26
Shukri Buja në Gjykatë

Në seancën e sotme e cila ka zgjatur për mbi 4 orë, janë ftuar pesë dëshmitar nga prokuroria speciale për të dëshmuar në gjykimin ku ish-deputeti i PDK-së dhe ish- kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, po akuzohet për shpërdorim detyre.

Ky rast është njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Ismet Jashanica, inspektor i ndërtimit në Lipjan, Selatin e Retkoceri nga kompania “Standard- Benz”, Lulzim Rrustemi, kryesues i Kuvendit Komunal në Lipjan, si dhe Hanushe Berisha, nëpunëse në Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm, u dëgjuan në cilësinë e dëshmitarëve në Departamentin për Krime të Rënda në çështjen penale për dëmtimin e pretenduar të buxhetit të komunës së Lipjanit.

I ftuar të dëshmonte ishte edhe Gazmend Retkoceri, po ashtu nga kompania “Standard- Benz”, por ai duke shfrytëzuar të drejtën e tij nuk dëshiroi të deklarohej meqenëse ishte familjar i të akuzuarit Fahri Retkoceri.

Këta dëshmitarë ishin dëshmitarët e fundit të propozuar nga prokuroria në këtë çështje penale, ku rrjedhimisht seanca vazhdoi me administrimin e provave të prokurorisë speciale.

Prokurori special Agron Bajrami tha se mbetet në tërësi pranë provave të propozuara.

Këto prova të prokurorisë u kundërshtuan nga avokatët mbrojtës, si dhe nga vet të akuzuarit.

Proceduralisht, në seancën e radhës që është caktuar për të hënën do të vazhdohet me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve, që do të thotë se kanë mbetur edhe pak seanca deri në dhënien e epilogut për këtë çështje penale.

Më 28 prill të vitit 2017, në seancën fillestare Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet. Ndërkaq, më 31 maj të po atij viti, në shqyrtimin e dytë ku u elaborua kërkesa për hedhje të aktakuzës e kundërshtim të provave, Buja kërkoi që prokuroria të hedhë aktakuzën ndaj tij, me arsyetimin se qëllimi i ngritjes së saj edhe është arritur.

“Kërkoj nga organi i akuzës hedhjen e akuzës, sepse ajo ka arritur efektin e duhur dhe jam privuar nga e drejta për të qenë deputet”, kishte thënë Buja.

Që nga mbajtja e shqyrtimit të dytë në maj të 2017- ës, asnjë seancë nuk ishte caktuar të mbahej për këtë çështje penale deri në ditën e djeshme, më 17 maj 2018.

Për këto mbi 11 muaj, shkalla e parë kishte kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës e kundërshtim të provave, e po ashtu në nëntor të 2017 KALLXO.com kishte kuptuar se edhe shkalla e dytë kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të së parës.

Në seancën e djeshme ku edhe u dha fjala hyrëse e u dëgjuan dy dëshmitarë, kryetari i trupit gjykues ka paralajmëruar se kjo çështje penale, pritet të përfundohet me 3- 4 seanca.

Bashkë me Bujën të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Edhe tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë komunalë të Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEË Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEË Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit./Kallxo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat